Zgjedhjet në Shqipëri

PS-ja merr edhe Durrësin, LSI mbetet pa mandat


Ka përfunduar numërimi i votave në Qarkun e Durrësit, ku fituese me 50.50% të votave është shpallur Partia Socialiste (PS). E përkthyer kjo me tetë mandate.

Partia Demokratike nga ky numërim ka dalë me 41.12% të votave, përkatësisht me gjashtë mandate të siguruara.

Ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim nga zgjedhjet e 25 prillit në Durrës nuk ka arritur të sigurojë asnjë mandat. LSI-ja ka marrrë vetëm 6.24% të votave.

Durrësi ka qenë një fushëbetejë e ashpër elektorale, për shkak edhe të garimit të kryeministrit Edi Rama në këtë qark.

Presidenti Ilir Meta ka qenë gjithashtu i përfshirë aktivisht në qarkun e Durrësit.

Deri më tani LSI-ja ka siguruar vetëm katër mandate në të gjithë Shqipërinë. PS-ja 74 mandate ndërsa PD-ja 59 mandate.

Në krahasim me zgjedhjet e vitit 2017, PS-ja ka ruajtur të njëjtat mandate, ndërsa PD-ja ka fituar dy mandate. LSI-ja ka humbur dy mandatet e saj.

Drejt përfundimit të procesit të numërimit është Qarku i fundit, Tirana.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore