“Duhet hetim i plotë, si u futën 30 terroristë kaq të armatosur në Kosovë”, Buhler dhe Shea komentojnë sulmin në Veri
Për ish-komandantin e KFOR-it, Erhard Buhler, futja e rreth 30 terroristëve në Veri të dielën e 24 shtatorit ka qenë incidenti më i rëndë pas luftës në Kosovës – derisa gjenerali gjerman në një bisedë për Albanian Post është shprehur i bindur që për këtë sulm ishte në dijeni presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe se radikalizmi i kriminelëve është si rezultat i retorikes agresive të këtij të fundit.
“Ky ka qenë incidenti më i rëndë i sigurisë prej vitesh. Një sulm me një grup kaq të armatosur dhe të pajisur nuk mund të bëhet pa dijeninë e disa institucioneve të qeverisë serbe. Por, në përgjithësi, radikalizmi i disa qytetarëve dhe kriminelëve në Veri është rezultat i një retorike shumëvjeçare, agresive dhe nacionaliste të Vuçiçit”, tha Buhler.
Si njohës deri në detaje i situatës në Ballkan, e veçanërisht në Kosovë, ai pohon se pa përpjekje për uljen e tensioneve dhe pajtimin në nivelin më të lartë, radikalizmi do të vazhdojë.
“Në planin afatshkurtër do të doja të shihja një hetim të plotë të Policisë së Kosovës të mbështetur nga institucionet serbe të sigurisë dhe një ndjekje penale të kriminelëve përgjegjës, siç është standard në Evropë dhe në planin afatgjatë shpresoj që kosovarët dhe serbët njerëzit t’i detyrojnë përfaqësuesit e tyre të zgjedhur politikë të bëjnë më shumë për një të ardhme paqësore të të dy vendeve”, potencoi ai.
Ndërkaq ish-zëdhënësi i NATO-s në kohën e luftës së Kosovës, Jamie Shea, i cili është edhe Profesor i Strategjisë dhe Sigurisë kërkon që të kryhet një hetim i plotë për të kuptuar se si u futën terroristët në Kosovë të armatosur rëndë dhe kush i ndihmoi.
“Ajo që ka rëndësi tani është kryerja e një hetimi të plotë se si 30 persona të armatosur ekstremistë ishin në gjendje të blinin armë, eksplozivë, automjete të blinduara, uniforma ushtarake dhe stërvitje dhe nga erdhën ata. Dhe kush e ndihmoi këtë operacion të stilit terrorist”, theksoi Shea për Albanian Post.
“Për sa i përket sigurisë kufitare dhe gjurmimit të rrjedhës së armëve ilegale, si dhe inteligjencës për këtë lloj sulmi të planifikuar, ka mësime të rëndësishme që do të duhet të mësohen si nga shërbimet e sigurisë së Kosovës ashtu edhe nga BE-ja dhe KFOR-i”.
Megjithatë, Shea e ka falënderuar Policinë e Kosovës “për mënyrën profesionale” në të cilën u përball me këtë situatë tejet të rrezikshme në të cilën sipas tij, “shumë më tepër njerëz mund të kishin humbur jetën”.
“Natyrisht, unë dënoj dhunën e ushtruar nga ekstremistët e armatosur në Veri të Kosovës të dielën. Është një nga incidentet më të rënda të sigurisë që nga pavarësia e Kosovës në vitin 2008 dhe qartazi një provokim i qëllimshëm pas një periudhe të qetë në Veri gjatë verës”.
Por, ai insiston që autorët “duhet të nxjerrën pra drejtësisë”, derisa shton që Beogradi duhet ta zvogëlojë retorikën luftënxitëse dhe kërkon nga palët që t’i kthehen dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Çfarë ndodhi?
Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra, një u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi terrorist nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit të dielën e 24 shtatorit.
Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.
Derisa pjesëtarët e tjerë të grupit terrorist dyshohet se janë arratisur duke kaluar në territorin e Serbisë.
Mediumi boshnjak Istraga.ba në Sarajevë pretendon se krimineli Millan Radojiçiç është plagosur të dielën në Veri, konkretisht në fshatin Banjskë të Zveçanit.
Sipas këtij mediumi, Radojiçiç i cili është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe është i dyshuar edhe për vrasjen e politikanit serb nga Kosova Oliver Ivanoviç-it, ndodhet në Serbi dhe po trajtohet.
Se krimineli serb ishte në Veri, e tha edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media ku janë prezantuar armët, uniformat dhe pajisjet logjistike të konfiskuara nga Policia e Kosovës në Veri, ka thënë se janë gjetur edhe dokumente të Radojiçiç-it.
Publikohen pamjet e terroristëve duke u larguar nga Manastiri i Banjskës të dielën
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Lajçak: Zbardhja e fatit të personave të zhdukur është një çështje urgjente humanitare
-
Haradinaj takon gjeneralin amerikan që ndihmoi në ngritjen dhe zhvillimin e FSK-së
-
Abdixhiku thotë se nëse zgjidhet kryeministër, buxheti i Kosovës do të jetë 5 miliardë euro
-
Komandanti i KFOR-it thekson nevojën për koordinim të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë në Kosovë