Kosova

Dronët e Turqisë zgjeruan hapësirën manovruese të Kosovës në veri, thotë analisti boshnjako-amerikan


Albin Kurti

Reuf Bajroviç, analist politik boshnjako-amerikan dhe partner në Institutin e për Studime të Politikës së Jashtme (FPRI), në një artikull autorial të botuar në revistën amerikane për çështje të sigurisë, ka shkruar mbi ndikimin dhe rolin politik të Turqisë në vendet me shumicë myslimane në Ballkanin Perëndimor, kryesisht në Kosovë, Shqipëri dhe Bosnje-Hercegovinë.

Ai ka kritikuar ashpër presidentin turk, Rexhep Tayyip Erdogan, i cili, sipas tij, pavarësisht politikës së jashtme “neo-otomane”, ka neglizhuar vendet “muslimane” në Ballkanin Perëndimor, duke punuar vetëm në drejtim të ruajtjes së lidhjeve ekonomike dhe kulturore, por jo duke rrënjosur prezencën dhe ndikimin në vendet e rajonit.

“Turqisë i mungon forca për angazhim të madh politik në Ballkanin Perëndimor. Kjo mungesë është ilustruar mirë nga periudha e trazuar pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Kjo ka nxitur përfshirjen e madhe Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian në politikën e brendshme të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në Bosnjë-Hecegovinë dhe Kosovë”.

Bajroviç ka shkruar se blerja e dronëve të prodhimit turk “Bayraktar (Flamurtar) TB-2” nga Qeveria e Kosovës, ka konfirmuar politikën parandaluese të Turqisë dhe ka zgjeruar hapësirën manovruese të Kosovës, posaçërisht pas sulmit terrorist të paramilitarëve serbë Banjë të Zveçanit në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe.

“Megjithatë, besimi i sapogjetur dhe veprimi i pavarur i Qeverisë së Kosovës nuk u ka pëlqyer zyrtarëve të SHBA-së dhe BE-së, duke kulmuar në kërcënimin publik të ambasadorit amerikan në Kosovë për të zbritur statusin e Kosovës në nivel të Palestinës në rastin më të keq dhe në Republikën Turke të Qipros Veriore në rastin më të mirë”, ka shkruar Bajroviç.

Në një postim në rrjetet sociale, më 16 korrik, kryeministri kosovar, Albin Kurti, kishte prezantuar dronët së bashku me komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Bashkim Jashari dhe Ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, derisa kishte deklaruar se “Kosova tash është edhe më e sigurt” dhe FSK-ja ka kryer trajnimin për përdorimin e dronëve.

Autoritetet e Kosovës nuk kanë dhënë detaje për numrin apo çmimin e dronëve e as kur kanë arritur në Kosovë, por jozyrtarisht është thënë se kjo ka ndodhur në muajin maj pak para stërvitjeve ushtarake “Defender Europe 2023” me shtetet e NATO-s, nga të cilat Kosova ishte përjashtuar për shkak të situatës në veriun e territorit të banuar me serbë etnikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore