Kosova

Drejtori i CIA-s në Kosovë, Selimi: Askush s’e di a do të takohet me Kurtin


Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës Amerikane (CIA), William Burns, pas Bosnje e Hercegovinës e Serbisë, të enjten, po realizon një vizitë të paparalajmëruar edhe në Kosovë. Ai aktualisht po zhvillon një takim kokë më kokë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Për ish-ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi, vizita e Burns në Kosovë është i nivelit më të lartë që nga vizita e zëvendëspresidentit të atëhershëm të SHBA-ve, Joe Biden.

Marrë për bazë këtë fakt, sipas Selimit, askush nuk e di nëse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të realizojë një takim me shefin e CIA-s, meqë ai gjendet për një vizitë në SHBA-të, konkretisht është pjesëmarrës në Konventën e Demokratëve në Çikago.

“Shpresoj se ai gjendet në Kosovë është dhe shpresoj se mund të bëhet një përparim përpara për hir të të gjithë neve”, ka shkruar ai në platformën sociale, X.

Për Gëzim Visokën, profesorin e Universitetit të Qytetit të Dublinit (DCU) në Irlandë, vizita e zyrtarëve më të lartë të institucioneve më kredibile të sigurisë botërore në rajon, sidomos atij të Burns, duhet lexuar si paralajmërim për forcat destabilizuese në Ballkanin Perëndimor.

Paralajmërim ky i cili ndërlidhet, siç vlerëson Visoka, me faktin se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të ndryshojnë qasjen dhe të përdorin mekanizma të tjerë për zbatuar politikën e tyre të jashtme.

“Ndonëse është vështirë ta dimë arsyen e vërtetë të vizitës së Drejtorit të CIA-s në Bosnie dhe Hercegovinë dhe Serbi, mund të spekulojmë se kjo vizitë paraqet një fazë të re të përpjekjeve amerikane për të ruajtur stabilitetin në rajon. Duket se jemi duke lëvizur nga diplomacia e nivelit të ulët të udhëhequr nga ambasadorët amerikanë në rajon drejt një diplomacie të inteligjencës dhe paralajmërimit dhe ndëshkimit kredibil nga Uashingtoni”, thotë ai për Albanian Post.

Këto vizita në pikëvështrimin e Visokës duhet lexuar edhe në kontekstin e luftës në mes të Ukrainës dhe Rusisë.

“Kam përshtypjen se ndërhyrja e Ukrainës në territorin rus ka ndryshuar dinamiken e luftës atje dhe reagimi rus mund të vijë në shumë forma, përfshirë dhe aktivizimin e planeve të tyre për të destabilizuar rajonet e tjera ku SHBA-të dhe BE-ja mund të dëmtohen dhe çorientohen”, argumenton ai.

Nëse ky lexim është i saktë atëherë, beson Visoka, vizita e Drejtorit të CIA-së në rajon “është shenjë që mund të ketë lëvizje destabilizuese me qëllim të dëmtimit të perëndimit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore