Lajme

Dodik në “shoqërinë e respektuar” të autokratëve, merr ftesë nga Lukashenko për ta vizituar Bjellorusinë


Aleksander Lukashenko dhe Millorad Dodik

Presidenti ultra-nacionalist i Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – Millorad Dodik, është ftuar nga Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko, për një vizitë zyrtare në atë vend.

Ftesën e Lukashenko-s ia ka përcjellur Dodik-ut ambasadori bjellorus në Bonje e Hercegovinë, Vladimir Ulahoviç, në takimin që kanë pasur në Banja Lukë të martën.

Përmes një postimi në rrjetin social X, Dodik shkroi se ambasadorin e Bjellorusisë e ka informuar për situatën politike në RS, duke shtuar se Republika Srpska është “institucionalisht stabile” dhe pretendoi se e njëjta e respekton Kushtetutën dhe Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit dhe theksoi “përkushtimin e institucionet e RS për të ruajtur paqen dhe stabilitetin”.

Bjellorusia është një aleate e Federatës Ruse, dhe si e tillë është në listën e sanksioneve të vendeve perëndimore.

Ajo vazhdimisht ka ndihmuar Kremlinin në agresionin e paprovokuar në Ukrainë.

Lukashnko është një besnik i Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin. Këta, të dy bashkë shprehin mbështetjen për Dodik-un, i cili vazhdimisht ndërmerr veprime destasbilizuese dhe anti-Dejton në BeH.

Republika Srpska ka qenë edhe shkaku që Bosnje e Hercegovina nuk ka mundur që t’i vendosë sanksione Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë, duke u rreshtuar kështu së bashku me Serbinë në vendet e pakta në kontinentin e vjetër që nuk janë në linjë me politikat e perëndimit.

Vetë Dodik është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuara, ndërsa për shkak të veprimeve të tij destabilizuese të njëjtën gjë është kërkuar që ta bëjë edhe Bashkimi Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore