Lajme

Dizajnerët italianë që po përdorin lëvoret e frutave për të krijuar orendi


Imagjinoni një botë ku asgjë nuk përfundon në kosh.

Në vend të kësaj, gjithçka mund të riciklohet dhe ripërdoret, duke krijuar produkte që nuk arrijnë kurrë fundin.

Sipas një raporti të fundit nga Fondacioni Circle Economy, vetëm 7.2 për qind e të gjitha materialeve të përdorura po kthehen në ekonomi për t’u ripërdorur dhe ricikluar pa krijuar mbeturina.

Kompania me bazë në Milano, Krill Design, synon ta ndryshojë këtë duke krijuar produkte mobiljesh të bëra nga një biomaterial i patentuar i ngjashëm me plastikën i quajtur Rekrill, i cili thuhet se është plotësisht organik, i biodegradueshëm dhe mund të përdoret pa ndalim.

Kompania u themelua në vitin 2018 nga tre arkitektë, dy prej të cilëve kishin krijuar një kompani të printimit 3D.

Duke përdorur lëkurën e frutave, farat e portokallit dhe mbetjen e bluar të kafesë të mbledhura nga bizneset në Itali, produktet Krill mund të rishpërndahen te të njëjtat biznese për t’u përdorur në zyrat e tyre, në vend të mobiljeve të bëra nga plastika e zakonshme.

Dizajni i Krill përfshin rafte, stola, ora dhe një llambë të quajtur Ohmie.

Çdo produkt prodhohet përmes një procesi me katër hapa.

Së pari, mbetjet ushqimore thahen dhe grimcohen në një pluhur shumë të imët.

Më pas, pluhuri përzihet me një alternativë plastike të biodegradueshme të njohur si polyhydroxybutyrat (PHB), me mbetjet e frutave që e bëjnë PHB më të ngurtë, sipas Krill.

Komponimi më pas kthehet në fije dhe, duke përdorur një bobinë, futet në një printer 3D.

Llamba Ohmie kërkon rreth tre orë për t’u printuar, por kohëzgjatja e printimit mund të ndryshojë në varësi të produktit.

Sakaq, Krill ka bashkëpunuar me një sërë markash të njohura, duke përfshirë kompaninë e pijeve Sanpellegrino dhe zinxhirin e hoteleve Four Seasons, dhe gjithashtu ka marrë pjesë në një projekt Co.ffee Era me bashkinë e Milanos, i cili synon të reduktojë mbetjet e kafesë të prodhuara në tre prej lagjeve të qytetit. ]

Nëpërmjet këtyre projekteve, Krill ka projektuar tabaka, mbajtëse pijesh dhe organizatorë, secila në ngjyrat që korrespondojnë me mbetjet ushqimore nga të cilat janë bërë, me lëvore portokalli që krijon produkte portokalli të ndezur dhe llum kafeje që krijon produkte të pasura me ngjyrë kafe të errët.

Duke ripërdorur lëvoren e frutave dhe llumrat e kafesë, çdo kilogram Rekrill korrespondon me një kilogram dioksid karboni të kompensuar nga prodhimi i plastikës.

Teksa bioplastika aktualisht përfaqëson më pak se 1 për qind të 390 milionë tonëve plastikë të prodhuar në vit, ajo është një segment me rritje të shpejtë me aplikime në sektorë të ndryshëm, duke përfshirë paketimin e ushqimit, tekstilin dhe elektronikën.

Një numër i kompanive të tjera janë duke inovuar në këtë fushë, duke përfshirë Polymateria me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, e cila pretendon se ka krijuar “plastikën e parë vetë-shkatërruese në botë”.

Kjo e fundit mund të ndahet në një substancë të ngjashme me dyllin që mund të biodegradohet plotësisht në tokë.

Krill aktualisht po eksperimenton me mbetje të tjera ushqimore, duke përfshirë lëvozhgat e vezëve, domatet dhe mbetjet e rrushit nga prodhimi i verës, si dhe po kërkon ta bëjë procesin e prodhimit më efikas, më pak të kushtueshëm dhe më miqësor ndaj mjedisit.

Në fund të fundit, kompania planifikon të shesë filamentin Rekrill, në mënyrë që njerëzit dhe bizneset të mund të krijojnë produkte duke përdorur printerin e tyre 3D.

Po ashtu po kërkon të zhvillojë formimin me injeksion – duke injektuar përbërjen e shkrirë të mbetjeve ushqimore dhe PHB në një kallëp në vend të printimit 3D – gjë që mund të ulë kostot dhe të kursejë kohë.

Marrë nga “CNN”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore