Përballje

Divine Myles, heroik në fitoren e Ponte Prizrenit


Dueli mes Ponte Prizrenit dhe Pejës ishte ndeshja më interesante e këtij sezoni në superligën e Kosovë në basketboll.

Ndeshja përfundoi me dramë me fitoren e prizrenasve me rezultat minimal 112:111 në gjysmëfinalen e playoffit.

Kthimi i Dardan Berishës ishte një lajm fantastik për ekipin e Pejës, ku ai pati një performancë të paharrueshme me 43 pikë, por as kjo nuk i mjaftoi që Peja të mposht Ponte Prizrenin.

Prizrenasit ishin dominant në pjesën e parë të ndeshjes ku arritën një epërsi prej 16 pikëve, por pejanët arritën të rikthehen në çerekun e tretë ku e ngushtuan epërsinë në vetëm pesë pikë.

Çereku i katërt ishte shumë dramatik ku asnjërës skuadër nuk i mjaftoi koha e rregullt për të fituar ndeshjen.

Koha shtesë në këtë ndeshje ishte brilante ku nuk dihej fituesi deri në sekondat e fundit.

Dardan Berisha shënoi dy gjuajtje të lira për t’i dhënë pejanëve një epërsi prej dy pikëve, por “heroi” i Ponte Prizrenit, Divine Myles shënoi një trepikësh akrobatik, katër sekonda para se të përfundojë takimi, për të barazuar rezultatin në 1:1 në serinë gjysmëfinale të këtij play-offi.

Te Ponte Prizreni u dalluan Divine Myles me 33 pikë, 7 kërcime e 7 asistime, Kwame Vaughn me 25 pikë e 9 kërcime, Landon Taliaferro me 28 pikë e 6 kërcime dhe Josh Martin me 15 pikë e 12 kërcime.

Kurse te Peja u dalluan Dardan Berisha me 43 pikë, Brandon Walters me 23 pikë e 11 kërcime, Aj Walton me 20 pikë, 10 kërcime e 13 asistime dhe Lis Shoshi me 10 pikë e 11 kërcime.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore