Diplomati austriak, Jan Kickert, ka vazhduar dëshminë në gjykimin ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kickert, në ditën e dytë ka deklaruar se ka pasur anëtarë nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), që e mohonin ekzistencën e UÇK-së.
“Disa nga anëtarët e LDK-së e mohonin ekzistencën e UÇK-së, kjo është e vërtetë”, tha dëshmitari.
Përgjigja e tij erdhi pasi mbrojtësi i Jakup Krasniqit, avokati Aiden Ellis, e pyeti atë nëse kishte dëgjuar për disa deklarata që ishin dhënë nga LDK-ja.
“Ka pasur deklaratë nga LDK-ja nga disa anëtarë të LDK-së që thoshin se UÇK-ja nuk ekzistonte si pjesë ose ishte pjesë e ushtrisë serbe mbase”, tha Ellis.
Ellis ka theksuar se kanë dëgjuar një dëshmitar së fundi të thoshte se i kujtohet që Presidenti Ibrahim Rugova ka thënë në media që Ushtria Çlirimtare të Kosovës ishte “lojë serbe”.
Kickert, pohoi se nga mesi i 1998-së, e kishte kuptuar se Jakup Krasniqi kishte pozitën e zëdhënësit të UÇK-së.
Ndërsa, para se të caktohet ai, dëshmitari tha se në këtë pozitë ka qenë Bardhyl Mahmuti.
“Ka qenë Bardhyl Mahmuti, ka qenë një zëdhënës që punonte në Gjenevë, por gjithsesi nuk besoj që ka raportuar ai ndonjëherë përpara grupit të kontaktit”.
“Zotëri Krasniqi nuk kishte nofkë dhe thjesht ne po spekulonim se çfarë numri mund të kishte ai”, tha Kickert.
Nga disa shënime që kishte nxjerrë dëshmitari nga takimi me Jakup Krasniqin dhe të tjerët, ai kishte shkruar se dikush i kishte thënë “asnjëherë mos e pranoni listën e Milazim Krasniqit për t’u diskutuar”.
“Me sa më kujtohet mua, për të folur ka folur Jakup Krasniqit. Ai ka qenë zëdhënësi. Nuk mund të them me përqindje se kush ka folur dhe sa për qind të takimit, por Jakup Krasniqi ka qenë një prej folëseve në këtë takim”, ka deklaruar ai.
Të martën në Speciale, kishte nisur dëshmin diplomati austriak, Jan Kickert i cili kishte shërbyer në Beograd gjatë viteve 1997-1999.
Gjatë intervistimit të tij në Speciale nga prokurori John Capin, ai është pyetur për një dokument ku pretendohet se disa përfaqësues të Speciales së Sekretares së Përgjithshme të UNMIK-ut kishin njoftuar Hashim Thaçin – njëri nga eprorët e UÇK-së në atë kohë për lirimin e disa serbeve dhe romëve që pretendohet se mbaheshin në Prishtinë nga UÇK-ja.
Capin, e ka pyetur dëshmitarin Kickert nëse këto pretendime janë të sakta, ai u përgjigj duke e pohuar.
“Përfaqësues të Speciales së Sekretares së Përgjithshme, njoftuan Thaçin se KFOR-i kishte liruar disa serbë dhe romë që mbaheshin në një shtëpi pranë Prishtinës. Është fakt shumë shqetësues, që disa anëtarë të UÇK-së, të identifikuar qartë nga dokumentet e KFOR-it, kanë arritur tek shtëpia pak më vonë”.
“Ai i kërkoi fuqishëm Thaçit që të përdorur të gjithë ndikimin e tij për të shpërberë të gjitha qendrat e ndalimit të UÇK-së. Thaçi, premtoi se do të bëjë sa mundet dhe do të nxjerrë deklarate zyrtare. A e lexova saktë këtë dëshmitar?”, ishte e pyetja e prokurorit.
Nga prokurori u kërkua që ky dokument të pranohet si provë materiale, por që më pas u kundërshtua nga avokati i Thaçit, Luka Misetiç.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com