Kosova

Digjet një shtëpi në Veri e ndërtuar nga Qeveria, Krasniqi: Sulm i nxitur nga Vuçiçi


Foto nga ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka njoftuar se është djegur një shtëpi në “Kodrën e Minatorëve” në Veri, e cila është ndërtuar nga Qeveria.

Krasniqi, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se zjarri është fikur dhe dëmet janë sanuar, teksa ka fajësuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç për këtë sulm.

“Ky sulm është nxitje e mosdurushmërisë etnike e cila nxitet nga Vuçiçi i cili ka mbetur i mbyllur në propagandën e tij dhe e ka humbur kontrollin e strukturave paralele në pjesën veriore”.

Ndërkaq ka theksuar se s’ka asnjë person të lënduar, por vetëm dëme materiale.

“Kjo nuk është hera e parë që ka sulme të tilla, mirëpo kjo nuk është as hera e fundit që do të ndërtohen shtëpi të reja”.

Teksa, ka dënuar këtë akt duke thënë se veprime të tilla s’i ndalin banorët që të kthehen në pronat e tyre.

“Qeveria e Republikës së Kosovës e dënon fuqishëm këtë akt dhe as ky e asnjë sulm tjetër nuk e ndal kthimin e banorëve në pronat e tyre. Kërcënimet, shantazhet, pamfletat terroriste, nuk i frikësojnë qytetarët dhe as nuk e ndalojnë punën tonë për sigurimin e banimit të qëndrueshëm”.

Më 16 shtator, Ministria e Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, sërish ka marrë vendim që të ndajë mjete shtesë për ndërtimin e shtëpive në Veri.

Kontrata është publikuar në faqen e Komisonit Rregullativ të Prokurimit Publik më 11 shtator, teksa vlera e saj është 128 mijë euro.

Në bazë të kontratës parashihet që të ndërtohen rreth 11 shtëpi në atë pjesë.

Edhe më 2 prill, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 198-të të saj kishte miratuar vendimin për ndarjen e 4 milionë eurove shtesë për subvencionimin e ndërtimit të shtëpive për pjesëtarët e komuniteteve pakicë në katër komunat në Veri: Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin-Potok.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte thënë se ky vendim do t’i shërbejë rritjes së mirëqenies së qytetarëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore