Lajme

Digjet anija me makina luksoze në bord, shpëton ekuipazhi


Anija masive e mallrave që transportonte mijëra automjete të Grupit “Volkswagen”, “Felicity Ace”, mori flakë pranë ishujve Azores në Oqeanin Atlantik.

22 anëtarët e ekuipazhit të anijes me flamurin e Panamasë u evakuuan nga Marina dhe Forcat Ajrore Portugeze. Vetë anija mbeti pa timonier dhe në lëvizje.

Sipas informacioneve nga “Volkswagen AG”, në bordin e anijes ndodheshin 3 mijë e 965 automjete.

Me seli në Wolfsburg, Gjermani, grupi prodhon makina nën markat duke përfshirë “VW”, “Porsche”, “Audi” dhe “Lamborghini” – të gjitha këto ishin në bord kur anija u dogj.

Më shumë se 100 nga ato makina kishin destinacion Portin e Hjustonit në Teksas.

Ndër to ishin modelet VW GTI, Golf R dhe ID.4 që konsiderohen makina të rralla.

Industria e automjeteve tashmë po lufton me çështjet e furnizimit, duke përfshirë problemet e personelit të lidhura me pandeminë dhe mungesën globale të çipave.

Luke Vandezande, zëdhënës i Porsche-s, tha se, në kohën kur ra zjarri, rreth 1 mijë e 100 automjete të saj ishin në mesin e makinave në bordin e Felicity Ace.

Ai u shpreh se klientët e prekur nga incidenti po kontaktohen nga tregtarët e tyre.

“Gjëja e parë që ka rëndësi është që 22 anëtarët e ekuipazhit të anijes tregtare ‘Felicity Ace’ janë mirë”, tha Vandezande.

Një zëdhënës i operacionit të Lamborghini në SHBA nuk pranoi të komentonte mbi numrin e makinave që kompania kishte në bord, ose cilat modele u prekën, por tha se ata janë në kontakt me kompaninë e transportit për të marrë më shumë informacion rreth incidentit.

“Felicity Ace” ka përafërsisht madhësinë e tri fushave të futbollit dhe ishte rrugës për në një port në Davisville, Rhode Island, kur u lëshua një sinjal zjarri në një nga kuvertat e tij të ngarkesave.

Mitsui OSK Lines Ltd, operatori i “Felicity Ace”, tha se ka porositur një kompani sigurimi për të vlerësuar situatën.

Një ekip fillestar mbërriti në Azores dhe pritet të arrinte në anije të premten vonë.

Sipas të dhënave të përpiluara nga Bloomberg, pronari i regjistruar i anijes është kompania “Snowscape Car Carriers SA”, ndërsa siguruesi i mbrojtjes dhe dëmshpërblimit është “Britannia Steam Ship”.

Nuk është hera e parë që grupi VW humbet automjete në det.

Kur “Grande America” u përflak dhe u fundos në vitin 2019, më shumë se 2 mijë makina luksoze, duke përfshirë Audi dhe Porsche, patën të njëjtin fat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore