Gjykata Speciale

Dëshmitari i 83-të në Speciale dëshmon në seanca të kombinuara


Gjykata Speciale

Dëshmitari i 83-të në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), do të dëshmojë në disa pjesë në seancë të hapur e në disa pjesë të tjera në të mbyllur.

Lajmin për Albanian Post e ka bërë të ditur zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK), Christopher Bennett.

“Dëshmitari i së hënës do të dëshmojë në disa pjesë në seancë publike, e në disa pjesë në seancë të mbyllur”, ka thënë Bennett për AP.

Dy dëshmitaret e fundit gjatë kësaj jave kanë dëshmuar në seancë të mbyllur, për njërin nga ta është thënë se ka qenë ish pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ndërsa para këtyre dy dëshmitarëve, dëshminë e ka përfunduar ish pjesëtari i UÇK-së, Skender Zhitia.

Gjatë dëshmisë, Zhitia ka folur për librin e tij “Zona Operative e Llapit”, derisa ka theksuar se avokatë dhe prokurorë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë shkoqitur fjalë dhe fjali nga libri i tij, të cilat në opinion më pas kanë përcjellur mesazh të gabuar.

Tutje, Zhitia ka potencuar se është i saktë informacioni që e ka pasqyruar në libër, ku kishte treguar se pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, në Zonën Operative të Llapit kishte filluar ofensiva serbe dhe se Serbia kishte filluar me planin ‘Patkoi’ për dëbimin e shqiptarëve.

Nga mbi 300 dëshmitarë në total, deri tani janë dëgjuar 80 prej tyre – shqiptarë, serbë, ekspertë ndërkombëtarë, ish-zyrtarë të misioneve, ish-komandantë e viktima të pretenduara të luftës – kryesisht në seanca të mbyllura për publikun, ndërsa sot do të ofrojë dëshminë dëshmitari i 81-të.

Ish-presidenti i Kosovës, ish-kryeparlamentarët kosovarë dhe ish-shefi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosjes (LVV), akuzohen nga e Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për vrasje të pretenduara, torturë e trajtim mizor në periudhën midis viteve 1998–1999.

Në procesin gjyqësor që ka nisur më 3 prill 2023, katër ish-drejtuesit e UÇK-së u deklaruan të pafajshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore