Dëshmitari i 69-të, do të nis dëshminë të mërkurën në Speciale, por që dëshmia e tij do të jetë në seancë të mbyllur.
Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Christopher Bennett për Albanian Post.
“Sot pasdite do të fillojë të dëshmojë dëshmitari i radhës. Dëshmitari ka masa mbrojtëse dhe prandaj shumica e dëshmive do të jenë në seancë private”.
Të martën në Speciale, ka dëshmuar diplomati austriak, Jan Kickert i cili kishte shërbyer në Beograd gjatë viteve 1997-1999.
Gjatë intervistimit të tij në Speciale nga prokurori John Capin, ai është pyetur për një dokument ku pretendohet se disa përfaqësues të Speciales së Sekretares së Përgjithshme të UNMIK-ut kishin njoftuar Hashim Thaçin – njëri nga eprorët e UÇK-së në atë kohë për lirimin e disa serbeve dhe romëve që pretendohet se mbaheshin në Prishtinë nga UÇK-ja.
Capin, e ka pyetur dëshmitarin Kickert nëse këto pretendime janë të sakta, ai u përgjigj duke e pohuar.
“Përfaqësues të Speciales së Sekretares së Përgjithshme, njoftuan Thaçin se KFOR-i kishte liruar disa serbë dhe romë që mbaheshin në një shtëpi pranë Prishtinës. Është fakt shumë shqetësues, që disa anëtarë të UÇK-së, të identifikuar qartë nga dokumentet e KFOR-it, kanë arritur tek shtëpia pak më vonë”.
“Ai i kërkoi fuqishëm Thaçit që të përdorur të gjithë ndikimin e tij për të shpërberë të gjitha qendrat e ndalimit të UÇK-së. Thaçi, premtoi se do të bëjë sa mundet dhe do të nxjerrë deklarate zyrtare. A e lexova saktë këtë dëshmitar?”, ishte e pyetja e prokurorit.
Nga prokurori u kërkua që ky dokument të pranohet si provë materiale, por që më pas u kundërshtua nga avokati i Thaçit, Luka Misetiç.
Ai tha se “dëshmitari nuk dinë asgjë për këtë takim, apo përmbajtjen e këtij dokumenti dhe kam edhe diçka tjetër që do të dëshiroja ta zhvilloja në seancë të mbyllur”.
Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), ka dorëzuar një parashtrim përmes të cilit ka njoftuar panelin e trupit gjykues në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që nuk do të mbështetet në dëshminë e 10 dëshmitarëve.
Prej mbi 300 dëshmitarëve në total, deri tani janë dëgjuar 68 prej tyre – shqiptarë, serbë, ekspertë ndërkombëtarë, ish-komandantë të UÇK-së e viktima të pretenduara të luftës – kryesisht në seanca të mbyllura.
Ish-presidenti i Kosovës, ish-kryeparlamentarët kosovarë dhe ish-shefi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosjes (LVV), akuzohen nga e Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për vrasje të pretenduara, torturë e trajtim mizor në periudhën midis viteve 1998–1999.
Në procesin gjyqësor që nisi më 3 prill 2023, katër ish-drejtuesit e UÇK-së u deklaruan të pafajshëm.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com