Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu-Shoshi, gjatë seancës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE) të enjte, kërkoi nga Sekretarja e Përgjithshme, Maria Peçinoviç-Buriç një “raport të veçant” për sulmin terrorist të paramilitarëve serbë në Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në veri të Kosovës.
“Sulmi i 24 shtatorit është një zhvillim alarmues, jo vetëm ndaj paqes së brishtë mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe për sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci ofroi mbështetje për hartimin e një raporti. Konsideroni se është e rëndësishme për APKE-n dhe KiE-në që të hedhin dritë rreth ngjarjes?”, pyeti ajo.
Peçinoviç-Buriç as nuk e pohoi e as nuk e mohoi mundësinë e hartimit të një “raporti të veçantë” për terrorizmin e paramilitarëve serb në pjesën veriore të Kosovës, duke thënë se KiE mbështet stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht pas ngjarjeve të vitit të kaluar që kanë dëshmuar se paqja në këtë rajon të rrethuar nga armiqësitë etnike është ende e brishtë.
“Në këto kohëra pasigurie, jo që vetëm që e mbështesim stabilitetin rajonal në Ballkanin Perëndimor, por mendoj se çfarëdo që mund të bëhet në drejtim të sigurimit të stabilitetit rajonal është e mirëseardhur sepse ne nuk kemi nevojë për më tepër paqëndrueshmëri”, deklaroi Peçinoviç-Buriç pas pyetjes në formë kërkese të përfaqësueses së Kuvendit të Kosovës në APKE.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, në një konferencë për shtyp të mërkurën, përsëriti se institucionet evropiane ende nuk e kanë pranuar raportin përfundimtar të përgatitur nga autoritetet kosovare për sulmin terrorist të militantëve serbë në Banjë të Zveçanit vitin e kaluar, ku mbeti i vrarë një zyrtar policor.
“Sa i përket raportit përfundimtar për sulmin në Banjë, të përgatitur nga Kosova, nuk ka asgjë të re. BE-ja ende pret raportin përfundimtar nga hetimi që është duke u zhvilluar nga autoritetet e kosovare. Hetimi zyrtar është në duart e Kosovës. BE-ja pret bashkëpunim të pakushtëzuar nga të gjithë ata që mund të kontribuojnë për të ndriçuar rastin”, tha Stano.
Qeveria e Kosovës pretendon se tashmë u kanë ofruar institucioneve evropiane prova dhe dëshmi të mjaftueshme për përfshirjen e Serbisë në sulmin terrorist të 24 shtatorit në veriun e banuar me shumicë serbe nën udhëheqjen e ish-kryetarit të Listës Serbe – forca më e madhe e serbëve të Kosovës – Millan Radoiçiç, porse asnjë lëvizje nuk është bërë në këtë drejtim.
Duke qenë se në këtë fazë, asnjë prej shteteve kryesore perëndimore nuk ka bërë publike rezultatet e hetimeve për sulmin paramilitar të 24 shtatorit, zyrtarë institucionalë dhe vëzhgues të huaj kanë kërkuar nga bashkësia e organizuar ndërkombëtare të përgjigjen dhe t’i prezantojnë të gjeturat e hetimeve, për shkak se autoritetet serbe mohojnë përfshirjen në këtë sulm.
Kryetarja e Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, njoftoi ditë më parë se një vend i aleancës së shërbimeve inteligjence midis pesë shteteve anglishtfolëse Five Eyes (Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Australia, Kanada dhe Zelenda e Re) atkualisht është duke kryer hetime për inkursionin serb.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Lajçak: Zbardhja e fatit të personave të zhdukur është një çështje urgjente humanitare
-
Haradinaj takon gjeneralin amerikan që ndihmoi në ngritjen dhe zhvillimin e FSK-së
-
Abdixhiku thotë se nëse zgjidhet kryeministër, buxheti i Kosovës do të jetë 5 miliardë euro
-
Komandanti i KFOR-it thekson nevojën për koordinim të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë në Kosovë