Kosova

Deklarata e Vitisë për sigurime shëndetësore “tentativë puro elektorale” dhe “fyerje për pacientët”


Foto: Albanian Post.

Sigurimet shëndetësore publike janë një nga premtimet e shumta të parealizuara të Qeverisë aktuale të udhëhequr nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Megjithëse gjatë mandatit nuk ka pasur përpjekje konkrete për këtë çështje, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka deklaruar se në fund të qershorit pritet të votohet projektligji për sigurimet shëndetësore publike.

Ish ministra të cilët e udhëhoqën dikasterin e shëndetësisë, e anëtarët të Komisionit për Shëndetësi, po e shohin deklaratën e Vitisë vetëm si elektorale në përfundim të mandatit të tij.

Për ta, çështja e sigurimeve shëndetësore s’do të zgjidhet edhe për shumë vjet nëse ky pushtet do të jetë në krye të udhëheqjes së shtetit.

Ish ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në një përgjigje me shkrim për Albanian Post, thekson se një deklaratë si ajo e Vitisë që e dha më 15 qershor, është përsëritur vazhdimisht.

Zemaj thekson se procesi akoma as që ka nisur.

“Kemi pasur deklarime të pushtetit vazhdimisht se do t’i përfundojmë këtë mandat, këtë vit apo tjetrin, ndërkohë lere që nuk i përfunduan, po as nuk e filluan si proces”, thotë ai për Albanian Post.

Për të kjo është një “tentativë puro elektorale”.

Strategjinë të cilën e ka zgjedhur Qeveria për ta përdorur në fund të mandatit, për ish ministrin e Shëndetësisë është ofendim ndaj pacientit.

“Madje në fyerje e madhe për pacientin, por meqenëse nuk dinë të qeverisin, po e bëjnë atë që dinë më së miri pra: mashtrimin, si në secilën temë ashtu edhe për sigurimet shëndetësore”.

Ish ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Ai thekson se Qeveria as s’mund të ketë njohuri për këtë situatë.

“Tema e sigurimeve shëndetësore është shumë komplekse dhe pushteti aktual nuk e ka as dijen, as ekspertizën e as vullnetin politik të merret më ketë çështje”.

I të njëjtit mendim si Zemaj, është edhe anëtari i Komisionit për Shëndetësi, Bekim Haxhiu, i cili thotë se ky ka qenë “premtim në ajër për sigurime shëndetësore”.

Sipas Haxhiut, sigurimet shëndetësore s’do të jenë edhe për një kohë shumë të gjatë në Kosovë.

“Jo, nuk do të ketë sigurime shëndetësore, por edhe për një përiudhë shumë të gjatë s’do të ketë sigurime shëndetësore me këtë qasje të ministrit të Shëndetësisë”, thotë Haxhiu në një përgjigje për Albanian Post.

Ai thekson se s’dihet kur ky projektligj do të vijë në Kuvend, edhe në rast se i njëjti arrin në këtë institucion për të është një procedurë para se të kalohet nga deputetët.

“Sigurime vullnetare ka, por akoma nuk ka arritur kjo Qeveri që të bëjë një hap të prekshëm për sigurimet shëndetësore. Nëse ligji kalon brenda këtij viti në Kuvend, sepse jemi në fund të muajit qershor, duhet të ketë lexime publike, të kthehet në lexim të dytë. Ligji aktual është mirëpo pushteti po synon që të krijojnë një ligj të ri të sigurimeve shëndetësore”.

Kosovës, sipas Haxhiut, i kanë munguar vazhdimisht persona të duhur për t’i funksionalizuar sigurimet shëndetësore.

“Në vitin 2014, është bërë ligji për sigurimin shëndetësore, nuk është që Kosova s’ka leje për sigurime shëndetësore, Kosovës i kanë munguar menaxher, ministra që t’i implementojnë sigurimet shëndetësore”.

Ai shton se shëndetësia vazhdon të jetë dështimi më i madh i kësaj qeverisje.

“Është dështim total, prioriteti kyç i kësaj qeverie ka qenë hartimi i strategjisë së re të Shëndetësisë dhe strategjia e fundit e miratuar në shëndetësi ka qenë në vitin 2017. Prej vitit 2021, në vitin 2024 ne nuk kemi fare strategji shëndetësore të miratuar”.

Anëtari i Komisionit për Shëndetësi, Bekim Haxhiu.

“Sektori i shëndetësisë, vazhdon të jetë dështimi më i madh i kësaj qeverisje”.

Albanian Post ka dërguar pyetje edhe tek ministria e Shëndetësisë rreth kohës se kur pritet që ky projektligj të dërgohet në Kuvend, por që deri në publikimin e këtij artikulli s’ka pranuar përgjigje.

Sigurimet shëndetësore në pushtete të ndryshme ishin premtuar që nga viti 2004 dhe i njëjti gjithmonë ishte pjesë e plan-programeve elektorale të partive, i njëjti asnjëherë nuk ishte përmbushur nga asnjë Qeveri.

MSH-ja, më herët, pati shpjeguar se sa u përket të drejtave dhe obligimeve që dalin nga ligji për siguri shëndetësore, në tre vjetët e parë të zbatimit të sigurimeve, të punësuarit në sektorin publik dhe atë privat, do të paguajnë në muaj nga 3.5 për qind të të ardhurave të tyre bruto, për sigurimin shëndetësor të obliguar, dhe po kaq, për të do të paguajnë edhe punëdhënësit.

Në ato kompani apo organizata private, ku qarkullimi vjetor nuk arrin mbi 50 mijë euro, për sigurim shëndetësor do të paguajë vetëm punëmarrësi, në vlerë prej 2 eurosh për anëtar të familjes.

Mbledhja e fondeve për ligjin e sigurimeve shëndetësore ishte paralajmëruar të nis që nga 1 korriku i vitit 2017.

Atë kohë ishin ndarë nga Qeveria e Kosovës 17 milionë euro, derisa më pas ishin tërhequr për t’u orientuar në një destinacion tjetër, përkatësisht për pagesat e pensioneve për veteranët e luftës.

Prej atëherë çështja ka mbetur pezull.

Buxheti për sistemin e përgjithshëm shëndetësor për vitin 2024, kap vlerën e 345 milionë eurove.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore