Kosova

Data e zgjedhjeve – LVV kërkoi “analizë serioze”, Osmani: 1 javë më shumë a më pak, nuk bën diferencë të madhe


Vjosa Osmani në takim me partitë politike

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një prononcim për media, të enjten, gjatë vizitës së Komunës së Vitisë, duke folur për shpalljen e datës së zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, tha se data e kërkuar nga opozita (26 janari) në njërën anë e nga partia në pushtet në anën tjetër ( 9 ose 16 shkurt) nuk shkakton ndonjë diferencë të madhe

“Nuk besoj që ka ndonjë dallim një javë më shumë e një javë më pak, nuk besoj që bën ndonjë diferencë të madhe edhe për partitë politike që marrin pjesë në zgjedhje”, tha ajo.

Megjithatë shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, deklaroi se si përfaqësuese e partisë Alternativa ka propozuar datën 9 ose 16 shkurt për zgjedhjet e rregullta në takimin e partive politike me presidenten Vjosa Osmani.

Ndonëse përfaqësuesit e LVV-së nuk morën pjesë në takimin konsultativ me presidenten Osmani, Kusari – Lila shprehet e bindur se partia në pushtet nuk pajtohet që zgjedhjet e rregullta parlamentare të mbahen më 26 janar – datë kjo e propozuar nga partitë opozitare.

Kusari – Lila në vlerësoi se 26 janari nuk është data më e përshtatshme për zgjedhje, kjo pasi që data ndërlidhet me festat e fundvitit.

“Fushata fillon dy ditë para natës së Krishtlindjeve dhe nuk është fare e përshtatshme. Natyrisht kjo do të përbëjë ngarkesë për të gjithë këtu dhe të gjithë qytetarët e Kosovës që janë në festime, shto këtu faktin që mund të kemi edhe mungesë të bashkisë ndërkombëtare, shumica e të cilëve do të jenë jashtë vendit”, argumenton ajo.

Andaj ajo kërkoi Osmani, duhet të bëjë një “analizë serioze” sa i përket caktimit të datës për zgjedhjet e rregullta.

“Datat më të mira të mundshme do të ishin ato të cilat hyjnë prej pjesës së javës së dytë të shkurtit, dhe mendoj që do të ketë një reflektim dhe një analizë serioze edhe nga ana e presidentes. Sa i përket Lëvizjes Vetëvendosjes, ata do të bëjnë të qartë qëndrimin e tyre në raport me datën e zgjedhjeve, por jam më se e bindur se njëjtë nuk pajtohen me 26 janarin”, ka shtuar ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore