Kosova

Daçiç falënderon Spanjën për “mos-njohjen e pavarësisë së Kosovës”


Ivica Daçiç dhe Juan Jose Sans Aparicio

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, të martën ka takuar ambasadorin e ri të Spanjës në Serbi, Juan Jose Sans Aparicio, ndërsa ka përshëndetur qëndrimin e Madridit zyrtar në raport me mos-njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Siç raportojnë mediat serbe, në takim është konstatuar se marrëdhëniet politike ndërmjet Spanjës dhe Serbisë, janë të shkëlqyera, miqësore dhe pa pyetje të hapura.

Në takim ndër të tjera, siç raportojnë mediat, është konstatuar se ka hapësirë të konsiderueshme për përmirësimin e bashkëpunimit ekonomikë ndërmjet dy vendeve.

“Ata ranë dakord se ka shumë mundësi për të forcuar bashkëpunimin në fusha të tjera, veçanërisht në ndërtimin e infrastrukturës së transportit, në turizëm, përdorimin e burimeve të rinovueshme të energjisë, bujqësi, arsim dhe kulturë”.

Spanja është njëra ndër pesë shtetet e Bashkimit Evropian që refuzon njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore