Lajme

COVID nuk ka ndikuar në lumturinë e njerëzve në botë, zbulon studimi


Mori 6.7 milionë jetë, mbylli për muaj me radhë shtete të tëra dhe shkaktoi një pandemi globale, e cila reflektoi edhe një krizë marramendëse financiare në gjithë botën.

Por, COVID-19, nuk ka pasur asnjë ndikim në lumturinë e njerëzve, siç reflekton edhe një studim i fundit ndërkombëtar.

Janë intervistuar për këtë mbi 100 mijë persona në 137 vende të botës, dhe ajo çfarë ra në sy, ishte fakti se kishte nivele shumë më të larta dashamirësie në shumicën e shteteve ku u krye studimi.

Madje, të pyetur lidhur me një vlerësim që do t’i jepnin cilësisë dhe lumturisë në jetën e tyre, shumica e personave u përgjigjën se në nivele të ngjashme me ato të para pandemisë COVID-19.

Më shumë efekt gjithsesi, ka dhënë në vendet perëndimore pandemia, teksa në pjesën tjetër të botës, situata ka qenë më e qetë.

Kjo, edhe për faktin se kryesisht vendet perëndimore, kanë qenë ato të cilat kanë marrë masat më shtrënguese.

Ndër vendet të radhitura si më të lumturit në botë ndërkaq në bazë të raportit, vijojnë të jenë ato skandinave në krye të renditjes, me Finlandën që zë vendin e parë.

Danimarka, Islanda, Izraeli, Holanda, Suedia dhe Norvegjia, ndjekin në radhitje.

Të mirëvendosura në pikavarazh janë edhe SHBA-të, Gjermania apo Britania e Madhe.

Ndërsa, mes 10 vendeve më të palumtura në botë, janë ato afrikane si Sierra Leone, Zimbabwe e Kongo.

Teksa, dy vendet e fundit, i takojnë Libanit dhe Afganistanit, duke parë edhe situatat e krijuara atje në vitet e fundit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore