Shqipëria

Covid-19, Manastirliu: Shqipëria, jashtë zonës së kuqe


Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë më 7 maj, ka deklaruar se Shqipëria ka dalë nga zona e kuqe, për sa i përket pandemisë Covid-19.

Manastirliu vendosi theksin se kjo ka ardhur “falë masave të shënjestruara dhe efekteve të vaksinimit që po fillojnë të ndihen”.

“Ne nuk do të ndalemi për sigurimin e vaksinave anti-Covid, për të garantuar dozat e dyta, si dhe për të zgjeruar vaksinimin, për t’i dhënë mundësinë çdo qytetari të mbrohet nga coronavirusi”.

Që nga fillimi i fushatës së vaksinimit, Shqipëria ka vaksinuar mbi 572 mijë qytetarë.

Mbrëmjen e 4 majit mbërritën 11 mijë e 700 doza të tjera të vaksinës Pfizer.

Manastirliu bëri me dije se 7 mijë e 20 doza janë nga kontrata e qeverisë  shqiptare me kompaninë Pfizer dhe pjesa tjetër 4 mijë e 680 nga marrëveshja me Bashkimin Europian (BE).

“Një sasi e parë prej 4 mijë e 680 doza nga mbështetja e BE”.

Nga kjo skemë, Shqipëria do të marrë 145 mijë doza të vaksinës Pfizer.

Këto doza, do të dorëzohen nga maji deri në gusht për të rritur fushatat e vaksinimit.

Të vaksinuarit me të dy dozat e vaksinave kanë kaluar mbi 100 mijë. Ndërkohë, vazhdon procesi i rivaksinimit në gjithë Shqipërinë.

Që prej fillimit të vaksinimit masiv të popullsisë, Shqipëria renditet ndër vendet me fushatat më të suksesshme të dozave të administruara për banor.

Katër janë vaksinat e përdorura në vendin tonë: Pfizer, AstraZeneca, Sputnik V dhe Sinovac.

Nё diagramёn e publikimeve tё faqes shkencore, Our World in Data, tregohet Shqipёria nё vend tё parё, pёr administrimin e dozave pёr 100 persona, tё javёs sё fundit, duke u vendosur në krah të Bashkimit Evropian, me të njëjtin rezultat.

Shqipёria kryeson listёn e administrimit tё dozave nё fushatёn e vaksinimit anti-Covid.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore