Filmi Cloud Atlas është epikë dhe fanta-shkencë. Nën regjinë e Wachowskis (Lana dhe Lily Wachowski) dhe Tom Tykwer, dhe i bazuar në novelën me po të njëjtin emër të David Mitchel, Cloud Atlas përbën atë që, për të përdorur një shprehje të Winston Chuchill-it, është “gjëegjëzë, e mbështjellur me mister, brenda një enigme”.
“E shikuam njëri tjetrin për herë të fundit; asgjë nuk është më elokuente se asgjëja”.
Ky film, në rrafshin filozofik dhe psikologjik të tij, është filmi më ambicioz dhe gjithëpërfshirës në adresimin e pyetjeve fundamentale për jetën, që është synuar ndonjëherë. Gjashtë histori të ndryshme njerëzore, të njerëzve të njëjtë nëpër histori, që ndodhin prej viteve 1849-2346.
Gjashtë narracionet përfshijnë një udhëtim nga ishujt e paqësorit për në San Franciko në 1849, jetën e rëndë të një kompozitori në Britaninë e Madhe në 1936, një mister që përfshinë jetën e një gazetari të San Franciskos në 1973, një komedi në Britaninë e Madhe në 2012, Neo Soul-in në 2144, dhe në Hawaii-n post-apokaliptik.
Ting Guo një kritik akademik i filmit shkruan se “është besimi në vlerat moderne njerëzore – identiteti i vetes, drejtësia sociale, demokracia dhe etika globale, që na shpie në një rrugëtim të ri për një humanitet kolektiv në filmin Cloud Atlas”.
Secila histori pasuese vallëzon mbi historinë paraprake dhe e përmban gjurmët e të kaluarës, të akumuluara në të tashmen, me etjen e kërkimit të lirisë, dhe përvojës mistike që jetët tona janë të lidhura me njëra tjetrën pandashmërisht dhe historikisht.
Për një film të tillë, të thellë dhe thellësisht sugjestiv, sigurisht që emra si Frojdi dhe Jungu do të gjuhen në ajër, dhe do të propozohen teori të llojllojshme mbi substancën (ajo që qëndron në themel) e filmit. Por debatet më të mëdha në lidhje me substratin historik të Cloud Atlas do ti fitonte Nietzsche me tezën e tij të “rikthimit të përhershëm të së njëjtës”.
Filmi i Cloud Atlas e tejkalon kauzalitetin aristotelian ose edhe hjumian të lidhjeve brenda filmit, lidhjet kauzale, peripecitë, rinjohjet, gabimet tragjike apo hamartiat të cilat janë esenciale për ndërtimin e një historie tragjike në Poetikën e Aristotelit, dhe na fton që të lëmë mendjet e lirë e mos ti kërkojmë lidhjet logjike dhe faktuale brenda segmenteve, historive dhe personazheve.
Jeta në Cloud Atlas është e natyrshme dhe e rrjedhshme, dhe analogjikisht, rrjedha e lumit nuk mund të futet në pako konceptuale të interpretimit; ajo vetëm ecën, dhe ecja si realiteti i saj fundamental. Një riciklim i jetëve dhe ngjarjeve që nuk mund të arrestohet, të ndalohet, dhe të pyetet se ku po shkon?
Urtia e plakut në fund të filmit që shikon zjarrin, të kujton Heraklitin dhe botëkuptimin e tij se Zjarri është elementi përfundimtar i universit, jo si zjarr që digjet, por zjarri si procesualitet, si rikrijim i flakëve të saj, si diçka me të cilën këmbehet gjithçka.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com