Javë më parë, në mediat shqiptare bujë bëri pjesëmarrja e një konkurrenteje nga Kosova në spektaklin e zbulimit të talenteve “The Voice Australia”.
Kësisoj, bëhet fjalë për Sihana Haxhnikajn, e cila në fazën e audicioneve arriti ta bënte këngëtaren shqiptare me famë internacionale, Rita Ora, të kthejë karrigën e saj, dhe për më tepër ta emocionoj goxha shumë, për shkak të prejardhjes së njëjtë.
Por, rrugëtimi i Sihanas në spektaklin në fjalë tanimë ka përfunduar, pasi që ajo nuk është votuar mjaftueshëm nga publiku në garën me konkurrentet Gezel Bardossi dhe Elsa Marilyn, të cilat u votuan mjaftueshëm për të vazhduar tutje.
Përndryshe 16-vjeçja Haxhnikaj, në fazën e audicioneve, kishte performuar pranë jurisë këngën “Nothing Breaks Like a Heart” të artistes Miley Cyrus.
Siç shihet në videon e audicioneve, pas shtypjes së butonit, Rita i kërkoi vajzës nga Kosova që të prezantohet, dhe porsa Sihana zbulon emrin e saj pranë yllit të hitit “Shine ya light”, fillojnë dyshimet mbi origjinën.
“Më duket si emër i njohshëm! Prej cilit vend je?”, e pyeti Rita, konkurrenten e formatit televiziv, derisa kjo e fundit përgjigjet duke thënë – “Nga Kosova”.
“Oh zoti im, është pikërisht vendi prej nga vij edhe unë”, tha Rita, duke reaguar e befasuar që një shqiptare po performante pak metra larg saj.
Madje, Rita nuk hezitoi dot edhe të fliste në gjuhën shqipe, teksa u dëgjua ta përshëndesë edhe familjen e konkurrentes në po të njëjtën gjuhë.
“Si je zemër?”, e pyeta Ora – Haxhnikajn, derisa duke iu drejtuar familjes së vajzës, Rita u shpreh e emocionuar duke thënë – “Si jeni, mirëmbrëma?”.
Përfundimisht, Rita Ora u shpreh e lumtur që tashmë në grupin e saj kishte përzgjedhur një vajzë me origjinë të njëjtë.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com