Kosova

Çfarë ndikimi ka tkurrja demografike në ekonominë e Kosovës?


Ilustrim

Pritshmëritë e Agjencisë së Statistikave të Kosovës pas përfundimit të procesit të regjistrimit të popullsisë është që në Kosovë të jenë afro 1.6 milionë banorë. Rreth 200 mijë banorë më pak krahasuar me regjistrimin e fundit të popullsisë e cila u organizua gjatë vitit 2011 në Kosovë.

Për ish-ministrin e Financave, Haki Shatri, megjithatë këto të dhëna të supozuara nga ASK-ja nuk janë të sakta plotësisht.

Sipas tij tkurrja e demografike në Kosovë për 13 vjet nuk është rreth 200 mijë, por diku rreth 400 mijë.

“Të dhënat e ASK-së janë statistika të thata, aty nuk janë të përfshira edhe sa ka qenë shtimi natyror vjetor i lindjeve për 13 vjet. ASK-ja nuk po e thotë të vërtetën e plotë”, ka thënë ai për Albanian Post.

Në vlerësimin e Shatrit ASK-ja aktualisht po tenton të minimizojë efektet negative të realitetit demografik në Kosovë.

“Ky minimizim normalisht që nuk bëhet duke i falsifikuar numrat, por duke i lexuar statistikat një anshëm, pjesërisht në mënyrë selektive”, shton ai.

Por, çfarë ndikimi do të ketë kjo tkurrje e popullsisë në aspektin ekonomik në vend?

Shatri potencon se fillimisht duhet analizuar ndryshimi strukturor i moshës – pra si ka lëvizë grup mosha e punës që është prej 15 deri në 65 vjet.

“Ajo çfarë është indikative është që kjo grup moshe është zvogëluar, sidomos ikja e trurit ka ndikim shumë negativ në zhvillim ekonomik”, vlerëson ai.

Tkurrja e popullsisë, sipas Shatrit, ka efekte tejet negative edhe në burimet natyrore dhe investimet.

Se tkurrja e popullsisë me doemos do të ketë ndikimi negative në aspektin ekonomik në vend e thotë edhe ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu.

Numri i popullsisë, në vlerësimin e ekonomistit Gërxhaliu, ka një rëndësi në aspektin e tërheqjes së investimeve të huaja.

“Një ndër indikatorët kyç të buxhetit të shtetit është konsumi dhe varësisht nga rritja e konsumit kemi edhe buxhet më të lartë, në rast se do të kemi këtë tkurrje demografike do të kemi rënie të eksporteve do të kemi numër të vogël të investimeve të huaja direkte”, shpjegon ai për AP.

Ajo çfarë është shqetësuese, bazuar në censin e fundit, sipas Gërxhaliut është që nga Kosova s’po ikin vetëm skamnorët, por po ikin edhe familjet të cilat kanë një stabilitet.

“Kuptohet se dëshirojnë shëndetësi më të mirë, dëshirojnë arsim, siguri dhe një perspektivë më të madhe që për fat të keqe Kosova nuk po mund të ju garantoj. Shqetësuese është se Qeveria e Kosovës nuk bënë asgjë si të ndalet ky trend i ikjes”, shton ai.

Regjistrimi i popullsisë nisi më 5 prill.

Fillimisht ishte caktuar që të përfundonte më 17 maj, por pas kërkesave të disa komunave, procesi u shty deri më 24 maj.

Të dhënat preliminare të këtij procesi pritet të publikohen gjatë muajit korrik.

Ndërsa rezultatet përfundimtare do të publikohen pas gjashtë muajsh.

Serbët si në vitin 2011 edhe gjatë vitit 2024  refuzuan të marrin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore