Shqipëria

Çështja McGonigal mund të zgjidhet pa shkuar në gjyq, konfirmon avokati i tij


Çështja e njohur e ish-zyrtarit të lartë të Byrosë Kombëtare të Hetimit në SHBA (FBI), Charles McGonigal, mundet të zgjidhet edhe pa shkuar deri në gjyq.

Kështu ka konfirmuar një prej avokatëve të veteranit të inteligjencës amerikane, i cili i ka shërbyer 22 vjet shtetit të tij dhe është dorëhequr në vitin 2018.

Aktualisht, McGonigal gjendet nën hetim për një çështje, e cila e lidh edhe me Shqipërinë – përpos Rusisë – pasi agjenti akuzohet në Shtetet e Bashkuara se ka fshehur nga FBI-ja detajet e një udhëtimi në Shqipëri në vitin 2017 me një ish-zyrtar të inteligjencës shqiptare, i cili dyshohet se i kishte dhënë të paktën 225 mijë dollarë.

Po ashtu, McGonigal përflitet në një dosje voluminoze edhe për lidhje me oligarkun rus, Oleg Deripaska.

Ndërsa, implikimi me Shqipërinë dhe me kryeministrin Edi Rama, vjen pasi ky i fundit përmendet në dosjen e FBI-së për takime që ka pasur me McGonigal, të cilat edhe i ka pranuar vetë.

Por, kryeministri shqiptar i ka mohuar akuzat se ka dhënë para për ish-zyrtarin e lartë amerikan, apo se ka pasur trajtim preferencial kundrejt tij.

Sipas publikimit nga media amerikane CNN, gjatë një konference statusi të premten në çështjen, avokati i McGonigal, Seth DuCharme, vuri në dukje se të pandehurit kanë dy zgjedhje – të pranojnë fajin ose të shkojnë në gjyq – dhe tha se kishte një “shans të mirë që çështja do të zgjidhet” pa pasur nevojë të shkojnë në gjyq dhe se ata duhet ta dinë me siguri menjëherë pas festës së Ditës së Punës.

McGonigal është deklaruar i pafajshëm për të dyja aktakuzat.

Komentet e DuCharme sugjerojnë se prokurorët e Qeverisë dhe avokatët e McGonigal mund të punojnë përmes një marrëveshjeje për pranimin e fajësisë në këtë rast, megjithëse DuCharme vuri në dukje se ishte i interesuar të shihte pjesën tjetër të zbulimit të prokurorit në këtë rast, i cili përfshin dokumente të mbrojtjes kombëtare që ende kërkojnë disa redaktime.

Është e paqartë se si do të dukej një marrëveshje për pranimin e fajësisë midis prokurorëve dhe McGonigal dhe për cilat akuza, në fund të fundit, ai mund të deklarohet fajtor.

Gjyqtarja Colleen Kollar-Kotelly caktoi një seancë tjetër për 13 shtator.

Pse McGonigal ka rëndësi në Shqipëri?

Charles McGonigal, në një dosje voluminoze të FBI-së, përflitet të jetë takuar me kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe këtë, e ka pranuar edhe vetë ky i fundit, por duke mohuar çdo implikim të tijin në afera të tjera.

Ai ka pranuar thjesht se ka pasur takime më parë, të kërkuara nga McGonigal, kur ky i fundit ende kishte pozitën e zyrtarit të lartë të inteligjencës amerikane.

Teksa, mbi takimin e parë, ai ka rrëfyer se ka ndodhur në rrethana ku i pranishëm ka qenë biznesmeni Agron Neza, i cili e ka prezantuar me McGonigal-in dhe ky i fundit, i ka folur kryeministrit për influencën ruse në rajon dhe mënyrat si ajo mund të futet në Ballkanin Perëndimor.

Në themel, Neza dhe McGonigal kanë qenë bashkëthemelues të një kompanie ligjore në Shqipëri në vitin 2007, së bashku me dy shtetas të tjerë, një shqiptar dhe një amerikan.

E qartë nga ana e Ramës, është fakti se në aktakuzën ndaj ish-zyrtarit amerikan, ai vetë nuk përmendet si pjesë e skemës së korrupsionit.

Por, Rama thjesht përmendet si pjesë e narrativës së paraqitur nga organi hetues në SHBA, përpara jurisë.

Nga ana tjetër, kreu i Qeverisë ka folur edhe mbi situatën e krijuar me Partinë Demokratike, ku objekt kryesor është pjesëmarrja në zgjedhjet vendore të 14 majit dhe ndarja mes të djathtëve.

Një çështje me rëndësi është ajo e regjistrimit të PD-së nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke pasur ende dyshime se cila listë do të përfshihet nën logon e forcës së djathtë politike, parë edhe faktit se kauza mbetet ende në Apel, e pagjykuar.

Për këtë, Rama i ka idetë e qarta dhe sipas tij, e vetmja gjë e sigurt, është fakti se PD-ja “do të hajë një shpullë” nga votuesit, në vendoret e 14 majit 2023.

Një koment, ai e ka dhënë edhe për ish-zëvendëskryeministrin, Arben Ahmetaj, i cili është i përfolur se lidhet me çështjen e inceneratorëve, por ende nuk ndodhet nën akuzë.

Megjithatë, në rast se vërtetohen lidhjet e Ahmetajt me korrupsionin në nivele të larta, qëndrimi i Ramës është i qartë.

“Kam punuar me të për një periudhë të gjatë kohe dhe këto gjëra që dalin, qofshin të vërteta, më vjen shumë keq, por nuk e ndihmoj dot”, ka qartësuar ai.

Veçanërisht, ai përmendi edhe faktin se Qeveria që drejton dhe Partia Socialiste, e kanë në themel punën e sistemit të drejtësisë dhe nuk do të ndërhyjnë në hetime të tilla në asnjë instancë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore