Gjykata Speciale

“Cali” do ta vuajë dënimin në njërin nga shtetet e BE-së


Foto: Albanain Post

Dënimin me burgim prej 22 viteve për krime lufte ish-Komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, nuk mund të vuajë në Kosovë as në Scheveningen të Hagës në Holandë ku po mbahet në paraburgim së bashku me ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – por mund të dërgohet prapa grilave në ndonjërin prej shteteve të Bashkimit Evropian, thonë juristët për Albanain Post.

“Vuajtja e dënimit me burgim do të bëhet në një nga shtetet e Bashkimit Evropian. Kjo ndodh për arsye se edhe procesi i gjykimit është duke ndodhur në një nga vendet e BE-së, pra në Holandë, mirëpo edhe për shkak se Republika e Kosovës ka bërë marrëveshje me shtete të BE-së si për programin për mbrojtjen e viktimave ashtu edhe për pjesën e vuajtjes së dënimit me burgim”, ka shpjeguar avokati Anton Nrecaj për AP.

Për avokatin tjetër të akredituar nga Gjykata Speciale, Taulant Hodajn, vuajta e dënimit për të dënuarit nga Specialja në Kosovë “është e pamundur”, derisa ka potencuar se sipas Ligjit Special për Dhomat e Specializuara, Specialja ka të drejt të bëj marrëveshje me shtetet e BE-së.

“Sipas ligjit aktual Mustafa nuk mund ta vuajë dënimin në Kosovë. Dënimin mund ta vuajë në shtetet që Gjykata Speciale krijon bashkëpunim të posaçëm apo ka marrëveshje transferimin e të burgosurve”, pohoi ai.

Hodaj ka sqaruar se “Komandant Cali” për një kohë do të qëndrojë në qendrën e paraburgimit në Hagë, pastaj gjykata do të vendos që ta transferojë në një shtet tjetër të BE-së.

“Nuk pritet shpejt ky vendim, pasi do pritet edhe vendimi i Gjykatës Supreme dhe Kushtetuese”, theksoi Hodaj.

Megjithatë, avokati Nrecaj ka shtuar se për momentin si dhe për disa vite të ardhshme de jure dhe de facto “do ta kemi këtë situatë për dënuarit në proceset e gjykimit nga Dhomat e Specializuara”, derisa tregon se nuk do të thotë që në një të ardhme të mos ndryshoj kjo situatë në mënyrë që të dënuarit ta vuajnë dënimin në Kosovë.

“Kjo mund të ndodh vetëm pasi Kosova të jetë pjesë Bashkimit Evropian apo edhe pasi që Kosova të arrijë në nivelin e BE-së në zhvillimin demokracisë dhe zhvillimit të sistemit të drejtësisë”, potencoi Nrecaj.

Apeli vendos – Salih Mustafës i ulet dënimi vetëm 4 vjet, do t’i vuajë 22 të tjera

Ndryshe, këtë të enjte, nga 26 në 22 vjet burgim i është zvogëluar dënimi nga Paneli i Gjykatës së Apelit në Dhomat e Specializuar të Kosovës, ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, i dënuar për krime lufte nga Gjykata Speciale.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Më 3 prill të këtij viti në Hagë ka nisur gjykimi ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit si të akuzuar për krime lufte.

Këto krime të pretenduara janë përmendur në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është ish-senatori zviceran, Dick Marty.

Por, ish-udhëheqësit e UÇK-së, kanë deklaruar se ndihen krejtësisht të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës së konfirmuar ndaj tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore