Kosova

Caktohet trupi gjykues në rastin e Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit


Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, përmes një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare të kësaj gjykate, kanë bërë të ditur se është caktuar trupi gjykues që do të gjykojë rastin ku po akuzohen ish- krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Trup gjykues do të jetë në përbërje të gjyqtarëve Charles Smith III, Christoph Barthe dhe Guénawl Mettraux. Kurse, thuhet se Fergal Gaynor do të jetë gjykatësi rezervë.

Deri te ky vendim thuhet se erdhi pas njoftimit të gjykatësit të procedurës paraprake, më 14 korrik, se dosja e çështjes do të jetë gati për t’iu kaluar trupit gjykues më 16 korrik.

Drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës janë në paraburgim që nga viti i kaluar.

Më 25 shtator, Gucati dhe Haradinaj u arrestuan si të dyshuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, me mbështetjen e EULEX-it dhe policisë së Kosovës, ku u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Gjatë periudhës së aktakuzës, Hysni Gucati ishte kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa Nasim Haradinaj nënkryetar i kësaj organizate.

Aktakuza kundër këtyre dy të akuzuarve u konfirmua më 11 dhjetor 2020, ndërsa publike u bë më 14 dhjetor të po këtij viti.

Sipas aktakuzës “në mes të datave 7 dhe 25 shtatorit 2020, në tre konferenca për medie dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së deklaratave në rrjetet sociale, Gucati dhe Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve potencial të kësaj Gjykate”, thuhet në raportin e Dhomave të Specializuara dhe zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës.

Gucati dhe Haradinaj gjithashtu “kanë bërë akuza dhe komente nënçmuese kundër këtyre dëshmitarëve dhe në mënyrë të përsëritur shprehin synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara”.

Paraqitja e parë e Haradinaj-t si i dyshuar u mbajt më 29 shtator dhe paraqitja e parë e Gucati-t si i dyshuar u mbajt më 1 tetor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore