Aktori amerikan, Jonathan Majors do të përballet me një gjyq për akuzat për abuzim në familje pasi një gjykatës i Nju Jorkut refuzoi mocionin për pushimin e çështjes. Data e gjykimit është caktuar të fillojë më 29 nëntor.
Majors u shfaqë një sallë gjyqi më të ulët në Manhatan përmes opsionit ‘Zoom’, sepse ai ishte jashtë shtetit, shkruan Variety, transmeton AlbanianPost.
Gjatë seancës dëgjimore, avokatët e tij mbrojtës paraqitën një kërkesë për të kërkuar që “provat e kontestuara” të mbeten të vulosura dhe të ndalohen nga shikimi i publikut për shkak të natyrës së “profilit të lartë” të çështjes dhe akuzave kundër Majors.
Avokati mbrojtës Seth Zuckerman i tha gjyqtarit Michael Gaffey se ai beson se “zbulimi i informacionit të ndjeshëm do të kufizojë të drejtën e zotit Majors për një gjykim të drejtë”.
Gjykatësi nuk vendosi ende për mocionin dhe u tha gazetarëve në sallë se mund të dorëzonin dokumente për ta kundërshtuar atë deri më 6 nëntor.
Pas vendimit të së mërkurës së 25 tetorit, një zëdhënës i zyrës së Prokurorit të Qarkut të Manhatanit lëshoi një deklaratë duke thënë: “Ne mezi presim ta paraqesim rastin tonë në gjyq”.
Aktori i Marvel u arrestua në Manhattan më 25 mars dhe u akuzua për sulm dhe ngacmim të rëndë pas një mosmarrëveshjeje të dyshuar në familje me të dashurën e tij në atë kohë, Grace Jabbari.
Majors është deklaruar i pafajshëm për katër akuzat e ngritura kundër tij. Por, nëse dënohet për akuza për kundërvajtje për ngacmim dhe sulm, ai do të përballet me një vit burg.
Përpara seancës dëgjimore të së mërkurës, zyra e Prokurorit të Qarkut të Manhatanit paraqiti një përgjigje prej 115 faqesh ndaj kërkesës së aktorit për të pushuar çështjen.
Dokumenti pretendon se ekipi ligjor i Majors ka nxjerrë dhe keqinterpretuar provat gjyqësore, si dhe ka tentuar që policia të krijojë një poster në kërkim me foton e Jabbarit.
Në momentin e arrestimit, Jabbari u tha oficerëve se ajo u sulmua dhe u dërgua në spital me “lëndime të lehta në kokë dhe qafë” pas një zënke të supozuar në një taksi.
Avokatët mbrojtës për Majors pretenduan se ishte Jabbari ajo që sulmoi aktorin, dhe “jo anasjelltas”.
Ekipi i tij sugjeroi gjithashtu se “paragjykimi racor” ka luajtur një rol në hetim dhe e quajti rastin një “gjueti shtrigash” kundër aktorit të nominuar për “Emmy”.
Në prill, Jabbarit iu dha një urdhër i përkohshëm mbrojtjeje, që do të thotë se dy palët nuk mund të kenë asnjë kontakt të drejtpërdrejtë apo të palës së tretë. Urdhri mbetet në fuqi.
Në vazhdën e akuzave, Majors është shkëputur nga projektet e filmit artistik dhe është larguar nga ekipi i tij PR në kompaninë Lede, si dhe menaxhimi i tij, Entertainment 360.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com