Sport

Caktohen datat për përgatitjet para sezonale në Formula 1


Sezoni i ri i Formula 1 është më pak se dy muaj larg fillimit.

Më 20 mars, 2022, pista e Bahrain do të mirëpres garën hapëse të këtij sezoni, që pritshmëritë i ka shumë të mëdha.

Pas një sezoni të mrekullueshëm që kishim vitin e kaluar, me Hamilton dhe Verstappen që luftuan për titullin e fundit, asgjë më pak nuk janë pritshmëritë as për këtë sezon.

Me ndryshimin e rregullave, makinave, dhe paqartësisë mbi atë çfarë mund të ofrojnë skuadra, asnjë parashikim nuk mund të quhet “i çmendur”.

Makina e re e Formula 1

Dhe, një pasqyrim sado të vogël do të kemi në testimet parasezonale.

Datat e testimeve, janë bërë të ditura sot.

Ato ndahen në dy vende: Barcelona dhe Bahrain.

Testimet në Barcelonë do të fillojnë më 23 shkurt dhe do të zgjasin deri më 25 shkurt.

Në pistën e Katalunisë, testimet do të jenë të thjeshta, pa publik dhe pa transmetim televiziv.

Pilotët thjesht do të testojnë makinat, mirëpo në fund të ditës do të vendoset një semafor që tregon kohën e të gjithëve.

Testet tjera do të mbahen në Bahrain, dhjetë ditë para garës së parë.

Ato fillojnë më 10 mars dhe përfundojnë më 12.

Testimet në pistën e shkretëtirës do të transmetohen, do të kenë pjesëmarrje të publikut dhe kohë të kronometruar në kohë reale.

Vitet e mëparshme, historia thotë që të paktën për kreun, testet shpesh herë dinë edhe të “gënjejnë”, por këtë vit nuk pritet të ndodhë kështu.

Asnjë pilot nuk është i qartë se çfarë pret sezoni i ri, andaj edhe me shumë mundësi, kohët që do të shohim në testime, do të jenë ato kohë që do të pasqyrohen edhe në garën e parë të sezonit, më 20 mars.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore