Aplikacione

ByteDance-i, dyfishim fitimesh në 2020-n


Gjatë vitit të kaluar, ByteDance, kompania kineze që qëndron prapa aplikacionit të shpërndarjes së videove, TikTok, ka shënuar dyfishim të të ardhurave të saj.

Agjencia e lajmeve, BBC, tregon se në një shënim të brendshëm të kompanisë të lëshuar për stafin, ByteDance ka treguar se për vitin 2020, të ardhurat totale u rritën me 111 për qind në 34.3 miliardë dollarë.

Dhe këto shifra të arritura nxjerrin në pah popullaritetin e vazhdueshëm global të TikTok-ut.

Nga ana tjetër, kjo vjen teksa ByteDance-i dhe disa kompani të tjera kineze të mëdha të teknologjisë janë nën presion në rritje nga qeveritë në të gjithë botën.

Gjithashtu firma ka arritur një rritje në fitimin e saj vjetor bruto prej 93 për qind në 19 miliardë dollarë, teksa ka regjistruar një humbje neto prej 45 miliardë dollarë për të njëjtën periudhë.

BBC shkruan se humbja neto i atribuohej një rregullimi të njëhershëm të kontabilitetit dhe nuk kishte të bënte me operacionet e kompanisë.

Edhe memorandumi tregoi që kompania kineze numëronte rreth 1.9 miliardë përdorues aktivë mujorë në të gjitha platformat e tij që nga muaji dhjetor i vitit të kaluar.

Presioni i Shtëpisë së Bardhë

Popullariteti i TikTok-ut ka bërë që ByteDance-i të kontrollohet nga qeveritë në të gjithë botën, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kinën.

Një urdhër ekzekutiv i nënshkruar nga presidenti Joe Biden në fillim të këtij muaji do të detyronte disa aplikacione kineze të marrin masa më të ashpra për të mbrojtur të dhënat e përdoruesit nëse ata dëshironin të qëndronin në tregun amerikan.

Kjo lëvizje erdhi pasi Biden-i anuloi një urdhër ekzekutiv nga paraardhësi i tij Donald Trump që ndaloi aplikacionet kineze TikTok dhe WeChat në Shtet e Bashkuara të Amerikës..

Mirëpo, ky ndalim u përball me një sërë sfidash ligjore dhe nuk hyri në fuqi.

Nga ana tjetër, Departamenti i Tregtisë ka deklaruar se do të rishikonte aplikacionet e krijuara dhe të zhvilluara nga ata në “juridiksionin e një kundërshtari të huaj”, të tillë si Kina.

Biden-i ka pohuar se departamenti duhet të përdorë një “qasje të bazuar në prova” për të parë nëse ato paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare të vendit.

Më parë, në administratën e presidentit Trump, sulmohej rregullisht ByteDance-i përmes akuzave ndaj TikTok-ut si një kërcënim për sigurinë kombëtare.

Në kuadër të kësaj, politikanët dhe zyrtarët amerikanë ngritën shqetësime në lidhje me të dhënat personale të përdoruesve duke pretenduar se ato i kalohen qeverisë kineze.

Por, TikTok-u i ka mohuar akuzat se ka ndarë të dhënat e përdoruesit me Pekin-in.

Shqyrtimi i Pekin-it

Rregullatorët kinezë gjatë muajit prill u drejtuan thirrje 13 platformave në internet, përfshirë ByteDance-in, në mënyrë që t’i përmbahen rregullave më të ashpra në ndarjet e tyre financiare.

Thirrja e rregullatorëve erdhi si pjesë e një shtytjeje më të gjerë për të frenuar kompanitë e mëdha të teknologjisë në vend.

Sipas tyre, qëllimi ishte të parandalonin sjelljen monopolistike dhe “zgjerimin e çrregullt të kapitalit”.

Pekin-i kishte hequr dorë prej vitesh nga qasja për të inkurajuar industrinë e teknologjisë të rritet.

Shkundja e firmës

ByteDance-i gjatë muajit maj, njoftoi se shefi ekzekutiv dhe bashkëthemeluesi i kompanisë, Zhang Yiming, do të largohej dhe do të kalonte në një rol të ri. Kjo deri në fund të vitit.

Zhang, në një letër drejtuar punonjësve, njoftoi se do të pasohej nga bashkëthemeluesi tjetër, Rubo Liang.

“E vërteta është, mua më mungojnë disa nga aftësitë që e bëjnë një menaxher ideal. Unë jam më i interesuar në analizimin e parimeve organizative dhe të tregut dhe përdorimin e këtyre teorive për të zvogëluar më tej punën e menaxhimit, në vend që të menaxhoj në të vërtetë njerëzit”, kishte shkruar Zhang në një mesazh në faqen e internetit të kompanisë.

Gjithashtu “në mënyrë të ngjashme, unë nuk jam shumë social, duke preferuar aktivitete të vetmuara si të qenit në internet, duke lexuar, duke dëgjuar muzikë dhe duke soditur atë që mund të jetë e mundur”.

BBC tregon se ky veprim shënoi tronditjen më të madhe të kompanisë kineze të teknologjisë që nga fillimi i saj që daton gati një dekadë më parë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore