Art&dizajn

Burg apo resort luksoz në Groenland?


Një strukturë e re burgu ka marrë formë në kryeqytetin e Groenland-it, Nuuk. Përveçse është një nga mjediset me vendndodhjen më të bukur në botë, ai do t’u sigurojë të dënuarve një mundësi për të shlyer dënimin më afër familjeve të tyre, natyrës dhe kulturës.

Ky është institucioni i parë i këtij lloji në Groenland. Në fakt, është vështirë të dallosh nëse bëhet fjalë për një burg apo për një resort luksoz pushimi në dëborë.

Qeli me pamje piktoreske

Ndërtesa ndërthuret me peizazhin e hapur malor të Groenland-it, duke krijuar kontrastin mes të bukurës dhe vrazhdësisë.

Për më tepër, projekti i ndërtesës synon të sigurojë një mjedis të mirë pune për punonjësit e institucionit dhe një mjedis pozitiv për rehabilitimin e të burgosurve.

Detajet arkitekturore janë krijuar të tilla për t’iu përshtatur elementeve natyrore, siç janë ndryshimi i dritës së ditës, dëborës, akullit, shkëmbinjve, myshkut dhe qiellit blu.

Dritarja e gjerë në sallonin e përbashkët të secilës qeli ofron pamje panoramike të mjedisit të gjerë natyror. Të burgosurit do të kenë gjithashtu një pamje të pakufizuar të detit, përmes dritareve në qelitë e tyre.

Objektivi i këtij burgu është që të jetë një “vend më njerëzor”. Të paktën kështu thonë drejtoresha e projektit, Jette Birkeskov Mogenson, dhe arkitekti Thomas Tuus Christensen.

Në fakt, Ny Anstalt i ngjan më shumë një resorti sesa një burgu, edhe sepse 76 qelitë e tij me nga 12 metra katrorë, nuk kanë as hekura në dritare.

40 prej qelive janë të rezervuara për kriminelët shumë të rrezikshëm, ndërsa 36 të tjerat janë për të burgosurit që, gjatë ditës, mund të dalin për të punuar në qytetin Nuuk dhe natën të kthehen për të fjetur në qeli.

Materialet e përdorura, përshtatur natyrës

E gjithë ideja e projektit është cilësia e hapësirave me qëllim përmirësimin dhe zvogëlimin e dhunës fizike dhe psikologjike.

Kompleksi i ndërtimit për “Ny Anstalt Correctional Facility” do të ketë një sipërfaqe bruto prej rreth 8,000 metra katrorë dhe përbëhet nga pesë blloqe banimi. Materialet e ndërtimit për projektin përfshijnë beton, dru dhe çelik, të cilat përshtaten natyrshëm me peizazhin e gjerë.

Secila ndarje e hapësirës ofron lehtësira për punë dhe kohë të lirë për të burgosurit, hapësira për vizitorë, akomodim në zyra për stafin e administratës dhe hapësira parkimi. Ndërtesa, gjithashtu, ka një sistem teknik të sigurisë së lartë.

Ramboll e mori në dorëzim projektin në 2013-ën së bashku menjë ekip projektimi të përbërë nga grupi i arkitektëve, Schmidt hammer lassen, arkitektët, Friis & Moltke dhe arkitektët e peizazhit, Møller & Grønborg. Konkursi i dizajnit u organizua nga Autoriteti i Shërbimit të Burgjeve dhe Shërbimit të Provës në Ministrinë Daneze të Drejtësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore