Rajoni

Brnabiç për vizitën e Macron në Serbi: Me vizionin e Vuçiçit jemi bërë një nga vendet më të rëndësishme në Evropë


Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiç, teksa ka komentuar vizitën e presidentit të Francës, Emmanual Macron në Beograd, ka thënë se kjo është një ditë e rëndësishme dhe se Serbia e udhëhequr nga presidenti Aleksandër Vuçiç është bërë shtet i rëndësishëm në Evropë.

“Këto janë gjëra që nuk ndodhin në shumë vende ekonomikisht më të forta. Me vizionin e Vuçiçit për zhvillimin e Serbisë ne u bëmë një nga vendet më të rëndësishme në kontinentin evropian dhe më gjerë”, tha Brnabiç, raporton mediumi opozitar serb “Danas”.

Macron fillon sot vizitën dy-ditore në Beograd, ku synon të finalizojë marrëveshjen për shitjen e 12 avionëve luftarakë “Rafale” në vlerë prej rreth 3 miliardë eurosh – kjo do të jetë vizita e dytë e presidentit francez në Serbi në pesë vjetët e fundit, ndërsa dy shtetet forcojnë raportet ndërmjet vete, posaçërisht në fushën e ekonomisë.

Presidenti francez nëpërmjet një letre drejtuar popullit serb përpara vizitës së planifikuar në Beograd, ka thënë se do të angazhohet personalisht që Kosova dhe Serbia të përmbushin çdo pikë të marrëveshjes të arritur vitin e kaluar për normalizimin e marrëdhënieve, fillimisht në Bruksel të Belgjikës, pastaj në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Ai ka shtuar është i bindur që marrëveshja e propozuar nga Franca dhe Gjermania, dhe e zyrtarizuar nga Bashkimi Evropian (BE) nën mbështetjen e Shteteve të Bashkuara (SHBA), është në përputhje me interesat e Serbisë.

“Rruga drejt normalizimit të nevojshëm ruan thelbin: mundësinë që serbët të jetojnë në Kosovë duke respektuar ligjin, por pa hequr dorë nga identiteti apo lidhjet e natyrshme me Serbinë; por edhe ekzistenca e garancive në lidhje me ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe”, ka thënë Macron.

“Kjo rrugë është e trasuar: çdo gjë që ngadalëson përparimin në atë rrugë është në kurriz të njerëzve që jetojnë atje. Jam i bindur se ky kompromis është në përputhje me interesat e Serbisë dhe duke pasur parasysh ndjenjat e forta të serbëve për këtë çështje, duke i respektuar ato, ftoj Serbinë dhe ftoj të rinjtë në Serbi të zgjedhin paqen dhe të zgjedhin të ardhmen”, ka shtuar ai.

Macroni sot në Beograd mes kritikave për kontratën multimiliardëshe me Serbinë për avionët luftarakë Rafale

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore