Shqipëria

Britaniku zbulon detaje nga arrestimi i autoriteteve shqiptare për spiunazh


Ai quhet Colin McGowan dhe banon në Stenhousemuir.

Kjo ishte hera e parë që mediat ballafaqoheshin me identitetin e të dyshuarve për spiunazh në Shqipëri.

Skocezi është një fanatik radiofonik, i cili ka treguar për mediat britanike sesi policia shqiptare i ka sekuestruar pajisjet pasi dyshohet se ishte spiun.

Ai mbeti i habitur kur u pyet për pajisjen e radios, e cila është dërguar në Laboratorin Shqiptar të Kriminalitetit për ekzaminim të mëtejshëm.

Njësia C (Njësia Kibernetike) e Policisë Shqiptare, e ndihmuar nga shërbimi sekret shqiptar (SHISH), po ndërlidhet me prokurorët në vend për të vijuar hetimet mbi britanikun.

Ata duan të vërtetojnë nëse Colin ishte pjesë e një ekipi spiunazhi gjatë një udhëtimi pesë-ditor në Shqipëri muajin e kaluar.

“Unë nuk jam saktësisht James Bond për të qenë i sinqertë. Unë nuk mund të lidhja as një nga ato zilet e dyerve me video, kështu që mund t’ju siguroj se nuk po spiunoja”, deklaroi fillimisht ai.

McGowan bëri me faj mungesën e përvojës te autoritetet shqiptare për situatën e shkaktuar.

“Ata thjesht nuk kishin parë pajisje si tonat dhe donin të siguroheshin që gjithçka ishte në rregull”, u shpreh më tej skocezi.

Colin po udhëtonte me shokun e tij Paul Tittensor, nga Chelmsford në Essex.

Colin dhe Paul, 61 vjeç, do të ngrinin një stacion të ri radioje në Tiranë, për të transmetuar sinjalin e tyre për entuziastët e tjerë në mbarë botën.

Ata kontraktuan një vilë dhe ngritën një antenë për të transmetuar informacione, duke përdorur shenjat e tyre të thirrjes.

“Kemi pasur disa ditë shumë të suksesshme dhe gjithçka shkoi sipas planit. Rrugës për në shtëpi, doganieri shqiptar i pa pajisjet tona dhe u interesua, kështu që ne i shpjeguam se çfarë ishte”, vijon McGowan.

Sipas skocezit, ekzistonte një shqetësim se pajisjet e tyre mund të ndërhynin në sinjalet që jepeshin nga policia ose qeveria shqiptare.

Autoritetet shqiptare, shton ai, kanë qenë në kontakt me prokurorin fiskal në Skoci.

Shqetësimi kryesor i agjencive të inteligjencës shqiptare është spiunazhi nga Rusia.

Ndërtimi i situatës

Dy britanikët, të cilët u arrestuan nga autoritetet shqiptare nën akuzën për spiunazh, po hetohen nga Shërbimi Informativ Shtetëror.

Kjo e fundit po ndihmohet edhe nga njësia britanike e Kibernetikës.

Lajmin e bëri të ditur gazeta britanike “Mirror”, përcjell Albanian Post.

Policia kufitare gjeti një javë më parë radio transmetues në bagazhet e shtetasve britanikë.

Dyshja u pyetën mbi akuzat për spiunazh nga oficerët në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, pasi zbuluan radio të sofistikuara Kenwood.

Ata u thanë zyrtarëve shqiptarë se ishin inxhinierë IT-je, që mbanin pajisjet amatore për hobi gjatë pushimeve në Shqipëri.

Policia shqiptare konfirmoi se ka hapur një hetim mbi akuzat për “aktivitete spiunazhi” dhe “spiunazh”.

“Është shumë e pazakontë të mbash këtë lloj pajisjeje dhe akoma më e çuditshme që dikush të ndalohet dhe të akuzohet si agjent i fshehtë”, zbuloi një burim i botimit britanik.

Dy britanikët u mbajtën më 30 maj dhe, më pas, u lejuan të ktheheshin në Mbretërinë e Bashkuar.

Megjithatë, ata mbetën nën hetim, thotë policia.

Kompleti elektronik i Kenwood – i cili prodhon një sërë pajisjesh komunikimi të fundit – u dërgua në Laboratorin Kriminalistik Shqiptar për ekzaminim të mëtejshëm.

Drejtori i Policisë Kufitare, Eduard Merkaj, shtoi se hetimi po vazhdon dhe autoritetet po vijojnë këqyrjen e makinerive të sekuestruara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore