Mbretëria e Bashkuar është akuzuar se “ndihmoi Rusinë të paguajë për luftën e saj kundër Ukrainës” duke vazhduar të importojë sasi rekord të naftës së rafinuar nga vendet që përpunojnë lëndët djegëse fosile të Kremlinit.
Të dhënat e qeverisë të analizuara nga faqja e lajmeve Desmog tregojnë se importet e naftës së rafinuar nga India, Kina dhe Turqia arritën në 2.2 miliardë paund në vitin 2023, e njëjta vlerë rekord si një vit më parë.
Rusia është furnizuesi më i madh i naftës së papërpunuar për Indinë dhe Kinën, ndërsa Turqia është bërë një nga importuesit më të mëdhenj të naftës ruse që kur Kremlini nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022.
Kjo vjen pasi Rusia po synon gjithnjë e më shumë infrastrukturën energjetike të Ukrainës, me vetëm disa termocentrale të mëdhenj të pa dëmtuar apo shkatërruar ende.
Politikanët e Mbretërisë së Bashkuar kanë lobuar në SHBA për të miratuar 60 miliardë paund ndihmë ushtarake për Ukrainën, e cila përfundimisht kaloi më 20 prill.
Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, ka mbrojtur që asetet e ngrira ruse të vendosen në përpjekjet luftarake të Ukrainës.
Në përgjigje të pushtimit të vitit 2022, aleatët e Ukrainës u zotuan të largohen nga nafta dhe gazi rus.
Mbretëria e Bashkuar zyrtarisht ndaloi importin e produkteve ruse të naftës nga 5 dhjetori 2022. Megjithatë, një boshllëk në legjislacion ka lejuar që nafta ruse të vazhdojë të rrjedhë në Mbretëri të Bashkuar.
Për sa kohë që nafta ruse rafinohet në një vend tjetër, ajo nuk konsiderohet më se e ka origjinën në Rusi, duke e lejuar atë të shmangë ndalimin e tregtisë. Si rezultat, nafta ruse u shitet vendeve aleate për përpunim përpara se të eksportohet në Mbretëri të Bashkuar.
Grupi i fushatës Global Witness e ka quajtur këtë një proces “pastrimi që po minon rezistencën e Ukrainës ndaj Rusisë.
Vlera e naftës së rafinuar të eksportuar nga India në Mbretëri të Bashkuar është rritur në mënyrë dramatike që nga pushtimi i Rusisë në vitin 2022.
Në vitin 2021, Mbretëria e Bashkuar importoi 402.2 milionë paund naftë të rafinuar nga vendi, e cila u rrit në 1.82 miliardë paund në vitin 2022 dhe qëndroi në 1.5 miliardë paund në vitin 2023.
Sakaq, importet e naftës së rafinuar nga Kina janë rritur më shumë se 20 herë që nga viti 2021.
Vlera e importeve të naftës së rafinuar nga Turqia, ndërkohë, është rritur nga vetëm 1.8 milionë paund në vitin 2021 në 60.3 milionë paund në vitin 2023.
Global Witness ka vlerësuar se gjatë gjithë vitit 2023, rreth 5.2 milionë fuçi produkte nafte të rafinuara të prodhuara nga nafta bruto ruse u importuan në Mbretëri të Bashkuar, me karburantin e avionit që përbën pjesën më të madhe të importeve.
Është vlerësuar se karburanti i lidhur me Rusinë është përdorur në një në 20 fluturime në Mbretërinë e Bashkuar.
Të dhënat e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar tregojnë se importet direkte të naftës nga Rusia ranë nga 1.5 miliardë paund në tremujorin e parë të vitit 2022 në zero një vit më pas.
Çka çoi në një rritje të importeve të karburanteve fosile nga petroshtetet autoritare.
Mbretëria e Bashkuar shpenzoi 19.3 miliardë paund për importet e naftës dhe gazit nga Algjeria, Bahreini, Kuvajti, Libia, Katari, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe në vitin deri në mars 2023 – një rritje prej 60% në krahasim me vitin e kaluar.
Përveç blerjes së lëndëve djegëse fosile nga petrostatet, Mbretëria e Bashkuar dhe BE-ja kanë blerë naftë të rafinuar ruse përmes Indisë, Kinës dhe Turqisë.
Global Witness ka zbuluar se BE importoi 130 milionë fuçi nga rafineritë që përpunonin naftën bruto ruse në vitin 2023.
Grupi ka vlerësuar gjithashtu se këto blerje ndoshta do të kishin kontribuar me 1.1 miliardë euro për Kremlinin në të ardhurat tatimore.
Rusia është tani furnizuesi më i madh i naftës së papërpunuar i Kinës, me vëllimin e tregtisë që është rritur me 24% në vitin 2023 krahasuar me një vit më parë.
Blerjet e naftës dhe gazit nga Kina dhe India kanë ndihmuar në stabilizimin e ekonomisë ruse, e cila u tkurr me vetëm 2.1% në vitin 2022.
India ndërkaq nuk ka ‘turp’ për blerjen e naftës ruse.
Rusia është furnizuesi kryesor i naftës në Indi, duke kontribuar me 40% të importeve të saj të naftës.
Vendi importoi mesatarisht 1.76 milionë fuçi naftë ruse në ditë nga prilli deri në shtator 2023, më shumë se dyfishi i vitit të kaluar.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com