Lajme

Borxhi publik në Britani tejkaloi PBB-në për herë të parë në 60 vjet


Borxhi publik neto i Mbretërisë së Bashkuar u dyfishua në maj dhe tejkaloi produktin e brendshëm bruto (PBB) për herë të parë që nga viti 1961, njoftoi zyra e statistikave.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia britanike “Reuters”.

Në fund të majit, borxhi neto ishte 2 mijë e 600 miliardë paundë, i cili vlerësohet në 100.1 për qind të PBB-së.

Është hera e parë që nga marsi 1961 që borxhi si pjesë e PBB-së ka tejkaluar paksa 100 për qind, përveç gjatë pandemisë, por kjo shifër është ulur më pas për shkak të përmirësimit të të dhënave të PBB-së.

Borxhi u barazua me PBB-në pasi huamarrja neto e qeverisë u dyfishua në maj, në 20 miliardë paundë, për shkak të kostos së programit të mbështetjes me faturat e energjisë, shkruan agjencia britanike.

Shuma e huamarrjes në maj ishte 10.7 miliardë paundë më e lartë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe e dyta më e larta në maj që nga fillimi i mbledhjes së të dhënave mujore tre dekada më parë.

Kancelari i Thesarit Jeremy Hunt tha se qeveria po merrte “vendime të vështira” për të balancuar financat pas pandemisë dhe pushtimit rus të Ukrainës.

“Ne me të drejtë kemi shpenzuar miliarda për të mbrojtur familjet dhe bizneset nga efektet më të këqija të pandemisë dhe krizës energjetike të Putinit. Por do të ishte qartë e padrejtë t’i linim brezave të ardhshëm një borxh që nuk mund ta shlyejnë”, tha Hunt.

Sipas tij, kjo është arsyeja pse autoritetet kanë marrë vendime të vështira, por të nevojshme për të balancuar financat e britanikëve për të përgjysmuar inflacionin, për të forcuar ekonominë dhe për të ulur borxhin këtë vit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore