Borrelli bën thirrje të mos mohohet gjenocidi në Srebrenicë: S’ka vend mes nesh për ata që përpiqen të rishkruajnë historinë
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, nëpërmjet një deklarate për shtyp të mërkurën, ka përsëritur thirrjen që të mos mohohet gjenocidi në Srebrenicë – rajon në lindje të Bosnje dhe Hercegovinës, ku forcat ushtarake serbe vranë e masakruan mbi 8 mijë burra dhe djem boshnjakë myslimanë në vitin 1995.
“Gjenocidi në Srebrenicë, 29 vjet më parë, është një nga momentet më të errëta në historinë moderne evropiane. Është detyra jonë të nderojmë kujtimin e mbi 8300 djemve dhe burrave që u vranë sistematikisht në malet përreth Srebrenicës. Ne u bëjmë thirrje liderëve të refuzojnë retorikën përçarëse dhe të punojnë për të vërtetën, drejtësinë, besimin dhe dialogun”.
“Shërimi i plagëve të së kaluarës kërkon njohjen dhe mësimin e fakteve historike, nderimin dhe kujtimin e viktimave, identifikimin e atyre që janë ende të zhdukur dhe sjelljen e të gjithë autorëve para drejtësisë… Nuk ka vend mes nesh për ata që mohojnë gjenocidin, përpiqen të rishkruajnë historinë dhe glorifikojnë kriminelët e luftës”, ka theksuar Borrelli.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (OKB) miratoi në maj të këtij viti rezolutën që shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë. Kosova, duke mos pasur ulëse në OKB dhe rrjedhimisht, mundës të votojë për rezolutën, ka shpallur poashtu 11 korrikun si Ditë të Përkujtimit të Srebrenicës në shenjë solidariteti.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com