Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, derisa ka bërë një përmbledhje të ngjarjeve dhe zhvillimeve në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përgjatë mandatit pesëvjeçar, ka thënë se për të ecur përpara ka nevojë për guxim, vizion dhe vullnet politik.
“Të gjithë do të jenë duke kërkuar për gatishmërinë e presidentit serb [Aleksandër Vuçiç] dhe kryeministrit të Kosovës [Albin Kurti] për të ofruar një të ardhme më të mirë evropiane për popullin e tyre. Në fund, duhet guxim, vizion dhe vullnet politik. BE-ja do të vazhdojë të ndihmojë në çdo hap gjatë rrugës”, ka shkruar kryediplomati evropian në një tekst autorial.
“Ne kemi bërë shumë gjatë viteve të fundit, por procesi mund të përparojë vetëm në bazë të gatishmërisë së të dy palëve. Ndërmjetësimi i BE-së nuk mund të arrijë më shumë normalizim sesa dëshiron Kosova dhe Serbia. Pas disa muajsh, njerëz të ndryshëm do të jenë në krye, por pritshmëritë e BE-së nuk do të ndryshojnë”, ka deklaruar ndër të tjera diplomati spanjoll.
Borrelli, krahas keqardhjes për mungesën e përkushtimit, progresit dhe vullnetit të palëve për të arritur konsensus në kuadër të dialogut Prishtë-Beograd, ka kujtuar edhe tensionet që shpërthyen në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, posaçërisht pas sulmit terrorist të paramilitarëve serbë në fshatin Banjë të Zveçanit në shtator të vitit të kaluar.
“Megjithatë, përkundër këtyre sfidave dhe vështirësive, takimet, vizitat dhe thirrjet tona të shumta kanë kontribuar në hapa të rëndësishëm përpara, të cilët nuk duhen harruar. Dialogu ka sjellë përmirësime të prekshme në jetën e qytetarëve në Kosovë dhe Serbi”, ka shtuar shefi i diplomacisë evropiane, derisa ka përmendur lëvizjen e lirë të qytetarëve të të dyja shteteve.
Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për rrugën drejt normalizimin e marrëdhënieve në fillim të vitit të kaluar, fillimisht në Bruksel të Belgjikës, pastaj në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Por, përkundër insistimit të diplomatëve evropianë se Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit janë ligjërisht obligative, nuk kanë arritur t’i bindin palët që ta zbatojnë të njëjtën.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Lajçak: Zbardhja e fatit të personave të zhdukur është një çështje urgjente humanitare
-
Haradinaj takon gjeneralin amerikan që ndihmoi në ngritjen dhe zhvillimin e FSK-së
-
Abdixhiku thotë se nëse zgjidhet kryeministër, buxheti i Kosovës do të jetë 5 miliardë euro
-
Komandanti i KFOR-it thekson nevojën për koordinim të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë në Kosovë