Targat ‘KM’ nuk do të ekzistojnë pas 21 prillit 2022, ka thënë zëvendëskryeministri i Kosovës i ngarkuar me dialogun Kosovë-Serbi, Besnik Bislimi.
Ai është shprehur se targat të cilat kanë qarkulluar në Kosovë, janë de-legalizuar me marrëveshjen e arritur ën Bruksel.
“Ato targa ‘KM’ operojnë të lira në veri të Kosovës nga viti 2008, rrjedhimisht ne nuk kemi vendosur kurrfarë ligjshmërie, në fakt ne kemi de-legalizuar atë, për arsye se në këtë marrëveshje ato trajtohen vetëm si targa të Serbisë që nuk njihen në Kosovë, dhe targat e Serbisë të cilat ne nuk i njohim, i mbulojmë me stikers. Deri më 30 shtator, këto targa kanë lëvizur të lira në veri dhe rrjedhimisht argumenti është i paqëndrueshëm”.
Marrëveshja e vetme është ajo çka është prezantuar nga Lajçak.
“Në Qeverinë Kurti nuk ka pika të fshehta, nuk ka marrëveshje të fshehta. Ajo që e ka nxjerr zoti Lajçak është marrëveshja e vetme që është dakorduar, nuk ka asgjë tjetër. Ato janë të gjitha konspiracione dhe janë tentativa që sado pak ta zhvlerësojnë rolin e marrëveshjes dhe rëndësinë. Por, nuk do të ndodhë asnjëherë që ne të arrijmë ndonjë marrëveshje që të mos bëhet publike, të jeni të sigurt”, ka thënë ai.
Tutje ai ka thënë se në të ardhmen është e logjikshme të priten masa tjera të reciprocitetit, ka thënë ai.
Kosova i ka të gatshme 300 mijë pako me nga katër letra ngjitës të cilat do të përdoren për mbulimin e simboleve e që do të fillojnë t’ua vendosin veturave me targa të Serbisë, që nga 4 tetori, ka thënë zëvendëskryeministri Bislimi.
Fillimi i këtij procesi bëhet pas vendosjes së ushtarëve të KFOR-it në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bernjak-proces ky që fillon me 2 tetor.
Ata do të vendosen para se të largohen Njësitë Speciale të Policisë të Kosovës i dhe largimit të barrikadave të vendosura nga serbët.
“Zhbllokimi është paraparë për ditën e nesërme (e shtunë, 2 tetor). Paraprakisht duhet njësit i KFOR-it të vendoset në vendkalimet kufitare dhe në bashkëveprim me njësitë speciale të Policisë së Kosovës të informohen për të gjitha elementet që janë të nevojshme për të siguruar stabilitetin e vendkalimeve kufitare dhe sigurinë e tyre”, ka thënë Bislimi në një intervistë për REL.
Kosova nuk ka tendenca për t’i zhvendosur afatet, mirëpo nëse nuk respektohen afatet, atëherë marrëveshja konsiderohet e pavlerë.
“Pala e cila tregohet jo-bashkëpunuese do të jetë ajo e cila do të identifikohet si palë bllokuese e dialogut”.
Ai tutje ka thënë se marrëveshja e përkohshme ka një afat prej gjashtë muajsh.
“Pala jonë është komplet e përgatitur”.
Lidhur me akuzat e opozitës se Qeveria ka pyetur Beogradin për largimin e Njësive Speciale të Policisë nga Veriu, që është çështje e brendshme e Kosovës, Bislimi ka thënë se “ne nuk kemi negociuar me Serbinë në asnjë moment për tërheqjen e njësive speciale”.
Ai ka thënë se është me rëndësi që edhe kritikat që vijnë nga vendi, të trajtohen brenda në kontekst të asaj se “kush e thotë dhe pse e thotë, sepse në fakt të gjitha argumentet që vijnë nga ta(opozita) janë argumente kundër tyre, për shembull argumenti i ligjshmërisë së targave ‘KM’”, është shprehur ai.
Bislimi në një intervistë për REL ka thënë se Serbia ka krijuar tensione në Veri të Kosovës, të cilat kanë alarmuar faktorin ndërkombëtare.
“Krijimi artificial i tensioneve në veri nga ana e Serbisë ka alarmuar gjithë bashkësinë ndërkombëtare dhe ka qenë kërkesë e tyre që ne të japim hisen tonë të kontributi me qetësimin e situatës dhe rrjedhimisht dakordimin për tërheqjen e njësive speciale”.
“Unë kam biseduar me zotin (të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav) Lajçak dhe jo me Serbinë. Dhe po ashtu është me rëndësi të thuhet se nuk është në pjesën e detyrave të njësive speciale të vendoset në mënyrë statike të qëndrojë atje, për arsye se më nuk do të ishin speciale”, ka thënë ai për REL.
Ai ka thënë se Policia e ka kryer detyrën e vet në mënyrë shembullore duke vë kontroll në vendkalimet kufitare me sukses të plotë, pa shkaktuar asnjë incident të vetëm.
“Përkundër faktit që provokimet të cilave u janë nënshtruar në vazhdimësi kanë qenë shumë të mëdha, po them prapë, rrugën e fundit që e kanë bërë njësitë speciale të Kosovës dhe për ne ka qenë e rëndësishme që pritja e tyre në asnjë moment mos të krijojë vakum që do ta rrezikonte edhe sigurinë e stafit tonë nëpër pikat kufitare, por edhe të vetë objekteve tona, aseteve tona në kufi”, është shprehur ai.
“Kosova nuk është tërhequr” nga gazi, por ka kërkuar kohë
Duke folur për projektin e gazit të mbështetur nga administrata amerikane, Bislimi ka thënë se Kosova ka kërkuar kohë që të marrë një vendim të kualifikuar rreth projektit të gazit, duke shtuar se “Kosova nuk është tërhequr nga procesi i gazit”.
“Nuk ka asnjë problem me partneritetin me Amerikën, dakordimi me MCC-në po vazhdon, ka bashkëpunim e ide të rialokimit të mjeteve. Kosova nuk është tërhequr nga procesi i gazit. Kosova ka kërkuar kohë që të marrë një vendim të kualifikuar”.
Bislimi ka thënë se projekti i gazit është i kushtueshëm, andaj nuk duhet të bëhen gabime të vogla.
“Këtu nuk mund të bëhen gabime të vogla, mund të bëhen vetëm gabime të mëdha dhe secili zyrtar amerikan ka mirëkuptim dhe madje vlerësim për një qeveri e cila është e kujdesshme kur ka të bëjë me vendim që prekin buxhetin e shtetit, sepse janë taksa të qytetarëve të Kosovës dhe taksa të taksapaguesve të SHBA-së”, është shprehur ai.
Për fund Bislimi është shprehur se në periudhën e tranzicionit të energjisë, duhet të garantohet vazhdimësi, qëndrueshmëri dhe energji me çmime të përballueshme për qytetarët.
“Vetëm gjatë këtij viti, çmimi i gazit në tregun evropian është trefishuar. Kjo tregon që nevoja për qeverinë që të jetë sa më e kujdesshme në projekte të tilla të jetë edhe më prezentë”, ka thënë ai për REL.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Lajçak: Zbardhja e fatit të personave të zhdukur është një çështje urgjente humanitare
-
Haradinaj takon gjeneralin amerikan që ndihmoi në ngritjen dhe zhvillimin e FSK-së
-
Abdixhiku thotë se nëse zgjidhet kryeministër, buxheti i Kosovës do të jetë 5 miliardë euro
-
Komandanti i KFOR-it thekson nevojën për koordinim të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë në Kosovë