Kosova

Bislimi, ambasadores së Holandës: Kosova ia dëshmoi KiE-së nivelin e gatishmërisë dhe përgatitjes për t’u anëtarësuar


Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ambasadorja e Mbretërisë së Holandës, Carin Lobbezoo.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka pritur në takim lamtumirës ambasadoren e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Carin Lobbezoo, të cilës ia ka theksuar përgatitjen e Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës (KiE).

Takimi i tyre është bërë i ditur përmes një komunikate të cilën e ka dërguar Zyra e Kryeministrit.

“Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se Kosova është vendi i parë i cili ka dërguar drejt Komisionit Evropian draftin e narrativit dhe agjendën e reformave, duke dëshmuar jo vetëm nivelin e përgatitjes, por edhe vullnetin dhe gatishmërinë për hapa të rëndësishëm tutje”, thuhet në komunikatë për media.

Tutje, Bislimi e falënderoi ambasadoren për angazhimin e saj përgjatë viteve të fundit ndaj Kosovës.

“Veçanërisht në progresin, zhvillimin dhe rrugëtimin drejt integrimit evropian të vendit tonë”.

“Së bashku, përshkuan zhvillimet e ndodhura gjatë kësaj periudhe dhe situatën në vend e rajon, si dhe trajtuan perspektivat për të tashmen dhe të ardhmen. Ambasadorja cilësoi si një prej momenteve më të veçanta në mandatin e saj liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”.

Kosova u mbështet nga shumica e deputetëve në Asamblenë e Parlamentare të Këshillit të Evropës për të kaluar fazën e parafundit drejt anëtarësimit në panteonin e kombeve të barabarta evropiane.

Megjithatë, rruga e vendit devoji krejt në fund, duke bërë që anëtarësimi në këtë organizatë të rëndësishme evropiane të shtyhet për të paktën një vit, nëse jo më shumë.

Arsyeja pse Kosova nuk hyri në agjendën e seancës së radhës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës më 17 maj, ku do të votohej pro apo kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, ishte kushtëzimi që Gjermania dhe Franca i bënë Kosovës duke kërkuar nga ajo hapa konkret në raport me Asociacionin – të paktën dërgimin e draft-statutit të këtij mekanizmi në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim.

Pak ditë pasi Kosova mbeti jashtë agjendës Qeveria e Kosovës, njoftoi se ka vendosur ta dërgojë një draft-statut për Asociacionin në Kushtetuese brenda majit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore