Biodiversiteti në rënie është nxitësi më i madh mjedisor i shpërthimeve të sëmundjeve infektive, duke i bërë ato më të rrezikshme dhe më të përhapura.
Kështu ka zbuluar së fundmi një studim teksa sëmundjet e reja infektive janë në rritje dhe shpesh kanë origjinën nga kafshët e egra.
Në analizën e botuar në revistën Nature, studiuesit zbuluan se nga të gjithë “nxitësit e ndryshimit global” që po shkatërrojnë ekosistemet, zhdukja e specieve ishte më e madhja në rritjen e rrezikut të shpërthimeve.
Biodiversiteti në rënie – sipas studimit – është pasuar nga ndryshimet klimatike dhe futja e specieve jo-vendase.
“Mesazhet e marra janë se humbja e biodiversitetit, ndryshimet klimatike dhe speciet e futura rritin sëmundjet, ndërsa urbanizimi e zvogëlon atë”, ka thënë studiuesi kryesor Jason Rohr nga Universiteti i Notre Dame në SHBA.
Ekspertët analizuan afro njëmijë studime të nxitësve mjedisorë globalë të sëmundjeve infektive, duke mbuluar të gjitha kontinentet me përjashtim të Antarktidës.
Ata shikuan si ashpërsinë ashtu edhe përhapjen e sëmundjes te strehuesit e bimëve, kafshëve dhe njerëzve.
Ekipi u fokusua në pesë nxitës të ndryshimit global – humbja e biodiversitetit, ndryshimi i klimës, ndotja kimike, speciet jo-vendase dhe humbja e habitatit.
Ata gjetën katër nga pesë rritje të përhapjes së sëmundjeve: të gjitha, përveç humbjes së habitatit, rritën sëmundjen. Rezultatet e tyre ishin të njëjta për sëmundjet njerëzore dhe jo njerëzore.
Ndryshimi i habitatit zvogëloi rrezikun për shkak të tendencës që njerëzit të lëvizin drejt një lloji specifik habitati – qyteteve.
Zonat urbane priren të kenë më pak sëmundje, pjesërisht për shkak të higjienës më të mirë publike, por edhe për shkak se ka më pak kafshë të egra.
Studimet e mëparshme vunë në dukje lidhjet midis këtyre sëmundjeve dhe ndryshimeve mjedisore, por më parë ishte e paqartë se cilët nxitës mjedisorë kishin ndikimin më të madh.
Studiuesit vunë në dukje se shumë nga nxitësit janë të ndërlidhur.
“Për shembull, ndryshimi i klimës dhe ndotja kimike mund të shkaktojnë humbje dhe ndryshim të habitatit, gjë që nga ana tjetër mund të shkaktojë humbje të biodiversitetit”.
Studiuesit thonë se reduktimi i emetimeve, zvogëlimi i humbjes së biodiversitetit dhe parandalimi i specieve pushtuese mund të ndihmojnë në uljen e barrës së sëmundjeve.
“Ne shpresojmë që analizat do të lehtësojnë kontrollin e sëmundjeve, zbutjen dhe përpjekjet e mbikëqyrjes globalisht”, sipas studiuesve.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com