Biznes

Binance.US përgatitet të pezullojë depozitat dhe tërheqjet në dollarë amerikanë


Kompania kripto Binance.US do të pezullojë depozitat në dollarë amerikanë, pasi partnerët e saj bankar përgatiten të ndalojnë kanalet për të tërhequr dollarët amerikanë nga bursa.

Kjo, vetëm disa ditë pasi rregullatorët paditën Binance dhe shefin e saj ekzekutiv Changpeng Zhao.

Krahu amerikan i shkëmbimit më të madh të kriptove në botë ka thënë se po ndërmerr hapa proaktivë në kalimin në një shkëmbim vetëm me kripto për momentin.

Teksa tregtimi, aksionet, depozitat dhe tërheqjet në kriptomonedha do të mbeten plotësisht funksionale, klientët nuk do të jenë në gjendje të depozitojnë ose tërheqin dollarë amerikanë.

Binance.US ka thënë se inkurajoi klientët të tërheqin dollarët amerikanë deri më 13 qershor, por paralajmëroi se për shkak të vëllimeve, tërheqja mund të marrë më shumë se zakonisht për t’u përpunuar.

Po ashtu ka theksuar se fondet e klientëve janë “të sigurta dhe të disponueshme”.

Mbikëqyrësi financiar i SHBA-ve ka akuzuar më herët Binance dhe themeluesin Zhao për operimin e një “rrjeti mashtrimi”, duke e akuzuar me 13 shkelje.

Komisioni Amerikan i Letrave me Vlerë dhe Shkëmbimit (SEC) më pas ngriti një padi kundër Coinbase, platformës më të madhe të kriptomonedhës amerikane, një ditë më vonë.

SEC ka përshkallëzuar goditjen ndaj industrisë së kriptove muajt e fundit, pas rënies vitin e kaluar të FTX me bazë në Bahamas, themeluesi i së cilës, Sam Bankman-Fried, tani është akuzuar për mashtrim të letrave me vlerë, pastrim parash dhe vepra të tjera.

Më herët, rregullatorët amerikanë kanë thënë se mbështesin një ngrirje të aseteve të Binance, sipas një dosjeje gjyqësore të SEC.

Në një deklaratë, Binance.US e ka akuzuar SEC për “taktika jashtëzakonisht agresive dhe frikësuese në ndjekjen e një fushate ideologjike kundër industrisë amerikane të aseteve digjitale”.

Dhe se kjo ka krijuar sfida për bankat me të cilat punon.

Binance.US është dega amerikane e bursës kryesore, Binance.com, dhe pretendon se është një bursë që drejtohet veçmas nga kompania mëmë.

Por ndër pretendimet kryesore nga SEC është se Binance dhe Zhao nuk arritën ta ndanin me të vërtetë kompaninë amerikane nga bursa kryesore nga e cila ishte shkëputur.

SEC pretendon se në realitet, Binance dhe Zhao “shkatërruan kontrollet e tyre për të lejuar fshehurazi klientët me vlerë të lartë amerikane të vazhdojnë tregtimin në platformën Binance.com”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore