Lajme

Divorcohen Bill dhe Melinda Gates, si do të ndahet pasuria?


Bill dhe Melinda Gates, çifti miliarder në krye të fondacionit më të madh privat në botë, janë divorcuar pas 27 vitesh martesë. Lajmin e ka bërë të ditur çifti, të hënën e 3 majit, në statuse të veçanta në median sociale në Twitter.

Bill dhe Melinda do të mbeten bashkë-kryetarë të Fondacionit Bill dhe Melinda Gates. Ata do të vazhdojnë të punojnë së bashku për të formuar strategjitë e fondacionit dhe për të vendosur vazhdueshmërinë e organizatës.

Njoftimi tronditës lë disa pyetje pa përgjigje në lidhje me pasurinë e Gates. Është e paqartë se si çifti do të ndajë pasurinë e tyre apo nëse kanë nënshkruar një kontratë paramartesore. Sido të jetë, për shkak të pasurisë së madhe të çiftit, divorci ka të ngjarë të jetë një ndarjet më të mëdha të pasurisë në histori.

Bill Gates, i cili në vitin 1975 themeloi kompaninë elektronike, Microsoft, ka një pasuri prej 130.5 miliardë dollarë.

Sipas revistës “Forbes”, kjo pasuri e liston atë në vendin e katërt në listën e personave më të pasur të botës.

Gates, për herë të parë, u bë personi më i pasur në botë, me një pasuri prej 12.9 miliardë dollarësh, në vitin 1995, një vit pasi u martua me Melinda-n.

Fakti më i rëndësishëm në ndarjen e pasurisë është rregullorja e shtetit të Washington-it, ku banon familja Gates.

Washington-i është një ndër shtatë shtetet e Amerikës ku prona konsiderohet si komunale. Kjo do të thotë që të gjitha pasuritë e marra nga secila palë gjatë një martese konsiderohen të përbashkëta dhe zakonisht ndahen në mënyrë të barabartë gjatë divorcit.

Megjithatë në Washington, palët mund të bien dakord të ndajnë pasuritë e tyre në një mënyrë që është “e drejtë”, e cila mund të rezultojë në zgjidhje që nuk është domosdoshmërisht 50/50.

Themeluesi i kompanisë së shitjeve online, Amazon, Jeff Bezos, dhe ish-gruaja e tij MacKenzie, ranë dakord që pas divorcit kjo e fundit të merrte një të katërtën e aksioneve të Amazon-it.

Nëse Bill dhe Melinda do të vendosnin të ndanin pasurinë në mënyrë të barabartë, Melinda do të posedonte një vlerë prej 65.25 miliardë dollarësh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore