Në El Salvador, vrasjet kanë shënuar një rënie prej 56.8 për qind në vitin 2022 mes një goditjeje të përhapur ndaj dhunës së bandave.
Kështu ka bërë me dije qeveria e atjeshme mbi përqindjen që tregon një rënie të mprehtë të vrasjeve.
Për vite me radhë, vendi është përballur me një nga normat më të këqija të vrasjeve në botë.
Autoritetet kanë regjistruar një total prej 496 vrasjesh vitin e kaluar, nga 1 mijë e 147 në vitin 2021, sipas ministrit të Mbrojtjes Francis Merino.
Ndërkaq, raporti nuk numëron vdekjet e anëtarëve të vrarë të bandave në përleshjet me forcat e sigurisë, gjë që do ta çonte totalin në 600.
Qeveria, nga ana tjetër, nuk ka dhënë një shkallë të vrasjeve. Por në çdo rast shifrat janë në një rënie të mprehtë nga një kulm prej 103 vrasjesh për 100 mijë banorë në vitin 2015.
Në muajin mars, presidenti Nayib Bukele i kërkoi Kongresit të miratojë një gjendje të përkohshme të jashtëzakonshme pas një rritje të dhunës.
Çka çoi në pezullimin e disa të drejtave kushtetuese për të luftuar bandat famëkeqe Barrio 18 dhe MS-13.
Masa e diskutueshme, e cila është zgjatur shumë herë dhe mbetet në fuqi, nisi një ofensivë të militarizuar që ka çuar në mbi 60 mijë arrestime të anëtarëve të dyshuar të bandës.
Por disa grupe në mbrojtje të të drejtave kanë ngritur shqetësime rreth abuzimeve të supozuara gjatë gjendjes së jashtëzakonshme.
Në to përfshihen arrestime të mundshme të njerëzve të pafajshëm dhe fshehje të vdekjeve të të burgosurve në paraburgim.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com