Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden tha në një konferencë për shtyp se ai “nuk e ka idenë se palestinezët po thonë të vërtetën se sa njerëz janë vrarë”, ndërsa shtoi “jam i sigurt se janë vrarë të pafajshëm” dhe i kërkoi Izraelit të minimizojë humbjet civile.
“Unë mendoj se ne duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm”, vërejti Biden. “Izraeli duhet të jetë jashtëzakonisht i kujdesshëm për të qenë i sigurt se ata janë duke u fokusuar në ndjekjen e njerëzve që po propagandojnë këtë luftë kundër Izraelit. Dhe është kundër interesave të tyre kur kjo nuk ndodh. Por unë nuk kam besim në numrin që Palestinezët po përdorin”.
Numri i të vdekurve palestinezë nga sulmet ajrore të vazhdueshme izraelite në Rripin e Gazës është rritur në 6 mijë e 546, tha të mërkurën Ministria e Shëndetësisë.
“Vdekjet përfshinin 2 mijë e 704 fëmijë, 1 mijë e 584 gra dhe 364 pleq”, tha zëdhënësi i ministrisë Ashraf al-Qudra në një konferencë shtypi në qytetin e Gazës.
Ai tha se 17 mijë e 439 persona të tjerë u plagosën në sulmet, ndërsa 1 mijë e 600 njerëz mbetën të bllokuar nën rrënoja, duke përfshirë 900 fëmijë.
Zëdhënësi tha se 73 mjekë u vranë dhe 25 ambulanca u shkatërruan në sulmet izraelite.
“Sistemi i kujdesit shëndetësor i Gazës doli jashtë shërbimit” mes sulmeve të pamëshirshme dhe mungesave kritike, tha al-Qudra.
2.3 milionë banorë të Gazës kanë mbetur pa ushqim, ujë, ilaçe dhe karburant, dhe autokolonat e ndihmave të lejuara në Gaza kanë bartur vetëm një pjesë të asaj që nevojitet.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com