Kreu i Shtëpisë së Bardhë, Joe Biden, e ka bërë sërish të qartë se në një rast konflikti mes Kinës dhe Tajvanit, SHBA-të do të ndërhyjnë në favor të këtij të fundit.
I pyetur në një intervistë nga media amerikane CBS nëse Washingtoni do ta ndërmerrte hapin e madhe, presidenti amerikan e sqaroi se “po”.
Megjithatë, kjo do të ndodhte vetëm në skenarin e një sulmi të paprecedentë të Pekinit ndaj ishullit.
E gjithë kjo bën pjesë në një konfirmim të politikave amerikane, të cilat Biden i ka shpalosur prej kohësh tashmë, por që sërish nuk kanë dhenë efektin e dëshiruar.
Vizita e kryekongresmenes, Nancy Pelosi, në Tajvan, solli një përshkallëzim të ndjeshëm të situatës, me akuza të shumta nga presidenti kinez, Xi Jinping, i cili mendon se zbritja e Pelosit në Taipei ka qenë tejet provokuese dhe nxitëse e një konflikti të mundshëm.
Tajvani është i vetëqeverisur, por Kina e sheh atë si një provincë të shkëputur me të cilën do të bashkohet përfundimisht.
Ai është bërë një tjetër pikë e ndezur mes tensioneve të rritura dhe retorikës së mprehtë midis Washingtonit dhe Pekinit në vitet e fundit.
SHBA-të i përmbahen politikës “Një Kinë” – themeli i marrëdhënieve diplomatike të dy vendeve që njeh vetëm një qeveri kineze – dhe ka lidhje formale me Pekinin dhe jo me Tajvanin.
Por ajo gjithashtu mban një marrëdhënie “të fortë jozyrtare” me ishullin. Kjo përfshin shitjen e armëve Tajvanit për t’u mbrojtur.
Po ashtu, më herët gjatë këtij muaji, Amerika miratoi një paketë 1.1 miliardë dollarë për t’i shitur armë Tajvanit.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com