Kosova

Bibliotekat dhe banimi me kosto të përballueshëm për mësimdhënësit, tjetër premtim i pambajtur i Kurtit


Foto nga Albanian Post

Rritja e cilësisë në arsim nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), tani partia në pushtet, vlerësohej se mund të arrihej përmes mbështetjes së mësimdhënësve në zhvillimin e vazhdueshëm profesional të tyre.

Qeveria Kurti zotohej se do të krijonte bibliotekat e mësimdhënësve në secilën shkollë duke i pajisur ato me literaturën relevante dhe të kohës.

Pastaj, për mësimdhënësit ishin zotuar se do të ofronin edhe banimin me kosto të përballueshme.

Por, këto premtime kanë mbetur vetëm në suaza të premtimeve, madje sipas disa komunave as nuk ka pasur ndonjë përpjekje për realizimin e tyre, ndonëse mandatit të ekzekutivit edhe pak muaj po i vjen fundi.

Albanian Post ka dërguar pyetje në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) dhe në Zyrën e Kryeministrit, për të kërkuar sqarime në lidhje me këto premtime, por deri në publikimin e këtij artikulli ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Meqë sqarimet nga niveli qendror munguan, AP, tentoi të mësojë se si kanë shkuar gjërat nëpër komuna.

Nga Komuna e Ferizajt thanë se nuk është krijuar ndonjë bibliotekë e tillë për mësimdhënësit e as nuk ka përfituar ndonjë mësimdhënës nga banimi me kosto të përballueshme.

Madje, njoftuan se as nuk kishin pranuar ndonjë informacion nga niveli qendror rreth kësaj çështje.

“Sa i përket bibliotekave as që jemi njoftuar ndonjëherë prej Ministrisë apo prej Qeverisë që do të bëhet diçka në këtë drejtim, nuk ka diçka konkrete”, ka thënë për AP, Afrim Llabjani, drejtori i Arsimit në Komunën e Ferizajt.

“Për banim edhe ashtu nuk është marr parasysh asnjëherë, nuk është diskutuar askund, asnjë mësimdhënës nuk ka përfituar nga kjo në Ferizaj”.

Këto premtime, Llabjani i konsideron retorikë politike “sa për të fituar dhe për të marr votën edhe të mësimdhënësve”.

“Kemi mbetur pothuajse në pikën zero, ashtu siç e kanë marr mandatin në vitin 2021 ashtu edhe po përfundon mandati, pa ndonjë investim të mirëfilltë në sistemin arsimor për Komunën e Ferizajt dhe në përgjithësi”.

“Na është premtuar edhe për digjitalizim, ku 6.5 milionë euro kanë qenë të ndara për vitin 2023 domethënë për shkolla edhe në këtë pikë Ferizaj nuk ka përfituar kurrgjë”.

Ngjashëm si në Ferizaj situata është edhe në Prizren.

“Në komunën e Prizrenit nuk është realizuar asnjë nga këto premtime. Veprime konkrete kurrgjë s’ka pasur. Nuk na kanë kontaktuar, s’kemi asnjë informatë”, ka thënë për AP, Drejtoresha e Arsimit në këtë komunë, Luljeta Veselaj-Gutaj.

E tillë është gjendja edhe në Pejë.

“Për biblioteka nuk ka diçka në këtë drejtim konkrete, nuk është ndërtuar ndonjë bibliotekë. Po ashtu, nuk ka mësimdhënës që ka përfituar (për banimin) deri më sot s’ka konkrete kurrgjë”, ka thënë drejtori i Arsimit në këtë komunë, Naser Gega.

Aspak më mirë e aspak më ndryshe s’qëndron situata në komunën e Hanit të Elezit.

“Në komunën tonë i kemi po ato biblioteka që kemi krijuar me mjete vetanake dhe me donacione, por jo biblioteka për mësimdhënësit të premtuara nga qeveria. Nuk kemi ndërtuar asnjë bibliotekë nga qeveria në asnjërën shkollë”, tregon për AP drejtori i Arsimit në Han të Elezit, Hisni Luri, duke bërë me dije se edhe premtimi për ofrimin e banimit për mësimdhënës me kosto të përballueshme, nuk ka gjetur ndonjë zbatim aty.

AP ka tentuar të marr një përgjigje edhe nga Drejtoria e Arsimit në Prishtinë, e disa komuna të tjera, por deri në publikimin e këtij artikulli ata nuk janë përgjigjur.

Kritika në lidhje me mosmbajtjen e këtyre premtimeve ka edhe Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj.

Përveç këtyre, ai thekson se në përgjithësi sa i përket sektorit të arsimit kjo qeveri ka lënë shumë për të dëshiruar.

“Nuk ka biblioteka me literaturë të duhur e të kohës, nuk ka as ndonjë ndihmesë me sigurimin e ndonjë strehe do të thoja për punëtorët arsimorë që janë në gjendje tepër të rëndë. Shumica e tyre edhe janë në kredi”, ngrit shqetësimin ai në një prononcim për AP.

“Pra asnjëri nga premtimet nuk është bërë, e në vend të kësaj Qeveria Kurti është dëshmuar se ka një qasje të gabuar ndaj Sindikatës së Arsimit, pra ndaj SBASHK-ut duke e bllokuar dialogun dhe duke i ikur dialogut”, shtoi ai, derisa e akuzoi ekzekutivin se ka qasje “armiqësore” ndaj sindikatave.

Për situatën jo të mirë ku gjendet sot arsimi në vend, Jasharaj e bën fajtor drejtpërdrejtë Qeverinë.

“Qeveria Kurti e la arsimin në këto kushte që po punojmë edhe përkundër angazhimeve maksimale të punëtorëve të arsimit rezultatet nuk janë ato që do t’i dëshironim”, pohon ai, derisa përmend edhe mungesën e mjeteve bashkëkohore që përballen mësimdhënësit, posaçërisht atyre të teknologjisë.

“Pra me shkollat që ju mungojnë kushtet elementare dhe me shkollat që në shekullin 21-të (XXI) janë të obliguara e të detyruara të punojnë me shkumësa e shpuza dhe nganjëherë siç u pa vitin e kaluar shkollor edhe me pritje se kur nxënësit do të furnizohen mjaftueshëm me tekste shkollore”.

Kryetari i SBASHK-ut konsideron se çdo gjë e madhe që është premtuar nga pushteti për sistemin arsimor nuk është realizuar.

“Kanë mbetur vetëm premtime”, pohon ai.

Si “mashtrim” të radhës së Albin Kurtit, e ka konsideruar deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, mosmbajtjen e këtyre zotimeve për arsimin.

Qeverisja dhe premtimet e Kurtit, në vlerësimin e Haxhiut, janë “dështim total”.

“Asgjë më shumë çka ka premtuar deri më sot s’ka përmbushur asgjë përveç rrenave dhe mashtrimeve asgjë tjetër. Si mundet një politikan të premtojë shumë e të mos realizojë kurrgjë është tipik qeverisja e Kurtit”, thotë deputeti i PDK-së për AP.

“Këto janë përrallat e Albinit si të Nastradinit, s’ka kurrgjë janë bërë veç për t’i mashtruar qytetarët”.

Pushteti ka shumë premtime të parealizuara, për një pjesë të të cilave ka raportuar Albanian Post.

Ekzekutivi iu premtoi zgjidhje përfundimtare për strehimin të moshuarve të vetmuar në Kosovë, duke u zotuar se do të ndërtonte pesë shtëpi, por që nga marrja e mandatit, asnjë themel nuk është hedhur për asnjërën nga këto shtëpi.

Një tjetër premtim, kishte qenë edhe pesëfishimi i inspektorëve të punës, mirëpo edhe ky zotim nuk është aspak afër realizimit.

Po ashtu, nuk është realizuar as premtimi për rritjen e numrit të qendrave dhe shërbimeve të shëndetit mendor e përmirësimi teknik i qendrave ekzistuese.

Partia në pushtet, ishte zotuar se do të krijonte edhe vende të mjaftueshme për fëmijët duke i ndërtuar 160 çerdhe në Kosovë, por çerdhet e finalizuara nuk janë aspak afër numrit të premtuar.

Pastaj, nuk pati veprime as lidhur me premtimin për rritjen e qendrave dhe shërbimeve për gjendjet e caktuara si autizmi, sindromë Down e të tjera.

Edhe përmes miratimit të Ligjit për Pensionimin e Parakohshëm të zyrtarëve policorë, Kurti zotohej se zyrtarëve policorë do t’u garantohej e drejta e pensionimit të parakohshëm në moshën 55 vjeçare. Mirëpo, as kjo nuk ndodhi.

Edhe pse kanë mbetur vetëm edhe disa muaj deri në përfundimin e mandatit qeverisës, pushteti, ndonëse ishte zotuar, nuk e mbajti as premtimin elektoral për funksionalizimin e Aeroportit të Gjakovës.

Pushimi i lehonisë dhe ai prindëror në total do të jenë 12 muaj dhe këtë mundësi do ta kenë të dy prindërit, premtonte dikur Kurti.

Ndonëse u zotua se do të mundësonte këtë pushim për të dy prindërit, nuk arriti ta bëjë një gjë të tillë përgjatë mandatit qeverisës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore