Jeff Bezos, shefi i kompanisë teknologjike Amazon, ka dalë në mbrojtje të rritjes së taksave për kompanitë amerikane.
Agjencia e lajmeve, BBC, tregon se reagimi i Bezos-it vjen teksa Joe Biden, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, po ushtron presion për të rritur normën e korporatave nga 21% në 28%.
Arsyetimi i rritjes së taksës ka të bëjë me ndihmën në mbulimin e shpenzimeve të planit masiv të përmirësimit të rrugëve, porteve, tubacioneve të ujit dhe internetit në Amerikë.
Joe Biden gjatë propozimit të rritjes së taksave veçoi kompaninë Amazon si një shembull i kompanive që paguajnë shumë pak.
Ndërkaq, Bezos doli në mbështetje të propozimit të presidentit. Ai gjithashtu u drejtoi thirrje demokratëve dhe republikanëve që të bashkëpunojnë dhe të arrijnë një kompromis.
“Ne e dimë që ky investim do të kërkojë koncesione nga të gjitha palët, si për specifikat e asaj që përfshihet ashtu edhe mënyrën se si paguhet”, është shprehur Bezos në një deklaratë duke shtuar se është në mbështetje të taksës së korporatave.
Ai ka thënë se “ne shpresojmë që Kongresi dhe Administrata të vijnë së bashku për të gjetur zgjidhjen e duhur dhe të ekuilibruar që ruan ose rrit konkurrencën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
Sipas BBC, pozicionimi i Amazon-it në mbështetje të rritjes së taksës e veçon atë nga republikanët dhe lobet kryesore të biznesit që janë shprehur kundër saj me pretendimin se do të dëmtonin rritjen ekonomike.
Bezos është shprehur gjithashtu se do të mbështesë edhe propozimet e tjera tatimore të Shtëpisë së Bardhë.
Lidhur me propozimet, ato kanë për qëllim marrjen e më shumë taksave nga fitimet e përfituara nga kompanitë amerikane jashtë shtetit duke punuar edhe me vendet e tjera për të vendosur një taksë minimale globale.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com