Shqipëria

BERZH: Raporti i kredive me probleme në Shqipëri mbetet ndër më të lartët në rajon


Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria vijon të ketë një ndër nivelet më të larta të raportit të kredive me probleme

Paçka tendencës pozitive të viteve të fundit, raporti i kredive me probleme në Shqipëri në fund të vitit 2023 rezulton i dyti më i larti në rajon, pas Malit të Zi.

Kështu bëhet me dije nga të dhënat krahasuese nga Nisma e Vienës, projekt i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Në fund të vitit të kaluar, raporti i kredive me probleme në Shqipëri ishte 4.7%, me një rënie prej rreth 0.3 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë.

Mali i Zi mbante nivelin më të lartë në rajon, me një raport të kredive me probleme të raportuar pranë nivelit 5.8%.

Kurse vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor e kishin këtë tregues në nivele ndjeshëm më të ulëta.

Shqipëria ishte ndër vendet ku ky raport vitin e kaluar shfaqi një tendencë pozitive, me një rënie prej 0.3 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë.

Edhe në Bosnje-Hercegovinë ky raport ra me 0.7 pikë përqindje, në Malin e Zi me 0.6 pikë përqindje dhe në Maqedoninë e Veriut me 0.1 pikë përqindje. Ky tregues shënoi rritje vetëm në Serbi, me 0.2 pikë përqindje, ndërsa për Kosovën raporti i kredive me probleme ishte në nivele të ngjashme me një vit më parë.

Viti 2023 parashikohej si një vit delikat, për shkak se rritje e normave të interesit dhe ngadalësimi i rritjes ekonomike mund të reflektohej në një rënie të aftësisë paguese të huamarrësve në vendet e rajonit.

Por – thuhet në artikullin e “Monitor” – tendencat e raportit të kredive me probleme ka qenë pozitive, duke përfshirë edhe vendin tonë, pavarësisht se ka ende një nga nivelet më të larta në rajon.

Ekonomia shqiptare – referuar vlerësimeve paraprake të INSTAT – u rrit me 3.44% vitin e kaluar.

Goditja inflacioniste dhe rritja e normave të interesit ka sjellë ngadalësim të rritjes ekonomike nga niveli prej 4.8% i vitit 2022, por ritmet e rritjes së ekonomisë shqiptare ngelen të mira në raport me shumicën e vendeve të Bashkimit Evropian dhe të Rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Sakaq, sektori i turizmit vlerësohet të ketë pasur një efekt të rëndësishëm në kërkesën për mallra dhe shërbime dhe në shëndetin e sektorit privat të ekonomisë, megjithëse ky efekt mund të mos jetë plotësisht i dukshëm për shkak të informalitetit të lartë.

Një ndikim të rëndësishëm në mbajtjen nën kontroll të raportit të kredive me probleme besohet se e ka dhënë rritja e vogël e normave të interesit nga Banka e Shqipërisë gjatë vitit të kaluar, por edhe forcimi i lekut në kursin e këmbimit.

Banka e Shqipërisë e rriti normën bazë të interesit vetëm dy herë në 2023 dhe niveli prej 3.25% ishte ndër më të ulëtit në Evropë, larg prej normave të aplikuara nga bankat qendrore në Evropë dhe në rajon. Kjo bëri që yield-et dhe normat e interesit të kredive të qëndronin në nivele të ulëta, madje duke e korrigjuar në një masë të madhe rritjen e fortë të fundit të vitit 2022.

Një faktor tjetër është forcimi i Lekut në kursin e këmbimit valutor.

Forcimi i monedhës vendase ka ulur koston e huave në valutë të huaj për kredimarrësit me të ardhura në lekë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore