Gjykata Speciale

Ben Emmerson s’do të jetë më avokat i Kadri Veselit


Ben Emerson

Gjykata Speciale, me seli në Hagë të Holandës, ka njoftuar të mërkurën se e ka miratuar kërkesën e avokatit Ben Emmerson, për tërheqje nga ekipi i mbrojtjes i ish-Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili po akuzohet nga Specialja për krime të pretenduara lufte.

“Më 21 gusht 2024, Trupi Gjykues në çështjen Thaçi dhe të tjerët miratoi përfundimin e përfaqësimit ligjor të Kadri Veselit nga mbrojtësi Ben Emmerson”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK).

Aty theksohet se Veseli dhe Emmerson u pajtuan me këtë vendim, duke bërë që Trupi Gjykues të aprovojë përfundimin e përfaqësimit ligjor për arsye të vlefshme.

“Gjithashtu, Trupi Gjykues u bind se do të sigurohet vazhdimësia e përfaqësimit të Veselit dhe se ndryshimi i kryembrojtësit nuk do të shkaktojë vonesa në procesin gjyqësor”.

Bëhet me dije se vendimi do të hyjë në fuqi pasi të caktohet kryembrojtësi i ri dhe Administratorja e DHSK-së ftohet të marrë të gjitha masat e nevojshme sa më shpejt që të jetë e realizueshme.

Ndryshe, Emmerson e ka mbrojtur edhe ish-Kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili në fund u lirua nga çdo akuzë për krime lufte.

Në karrierën e tij profesionale, Emmerson ka punuar në shumë raste dhe për shumë qeveri, dhe është një nga avokatët më eminentë në botë.

Ish-Kryeministrja britanike, Theresa May, duke folur për figurën e Emmerson-it, e kishte cilësuar si një ndër avokatët më të mirë që ka Britania e Madhe.

“Një nga avokatët më të dalluar të Britanisë në fushën e ligjit kombëtar dhe ndërkombëtar për të drejtat e njeriut”, ka thënë May.

Ndërsa, më 30 janar, Dhomat e Specializuara të Kosovës kishin njoftuar se edhe Gregory Kehoe, avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi ishte larguar nga ekipi mbrojtës i ish-presidentit kosovar.

“Trupi Gjykues në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët miratoi tërheqjen e Gregori Kihou si kryembrojtës i Hashim Thaçit. Ky vendim hyn në fuqi kur Administratorja cakton bashkëmbrojtësin e ri. Duke marrë parasysh se Thaçi dhe Lluka Mishetiç (aktualisht njëri nga bashkëmbrojtësit e Thaçit) u pajtuan që Mishetiçi të zëvendësojë Kihoun”, thuhej në njoftim.

Gregory Kehoe dhe Joe Reeder, avokatët e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, u tërhoqën nga ekipi i mbrojtjes për shkak të mosrealizimit të pagesave, nuk janë paguar ngase ata dhe kompania “Greenberg Legal Associates” nuk kanë pasur asnjëherë marrëveshje me Qeverinë e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore