Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj zhvilloi një bisedë telefonike me përfaqësuesit e Forcave të Armatosura shqiptare që shërbejnë në misione dhe operacione jashtë vendit në kuadër të NATO-së, BE-së dhe OKB-së.
Kreu i shtetit i uroi efektivët shqiptarë me rastin e fillimit të vitit të ri, duke shprehur vlerësim për përkushtimin dhe sakrificën e tyre që në momentet e ndërrimit të viteve ndodhen larg familjeve dhe njerëzve të dashur, në krye të detyrës dhe në shërbim të një misioni fisnik për ruajtjen e paqes dhe sigurisë.
“Këto ditë kam ndjekur me shqetësim ngjarjet në veri të Kosovës. Shqipëria si një vend anëtar i NATO-s është e përkushtuar dhe mbështet misionin e KFOR-it, që ne e cilësojmë si një histori suksesi. Unë ju falenderoj ju kontigjent që jeni atje, për të gjithë përkushtimin e treguar në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë”, theksoi presidenti.
Trupat shqiptare janë pjesë e misioneve jashtë vendit nga Kosova në Bosnjë-Hercegovinë, Bullgari, Letoni, Irak dhe deri në Sudanin e Jugut.
“Shërbimi juaj përkrah aleatëve është një shërbim që përshkohet nga sakrificat, përkushtimi, përgjegjshmëria dhe disiplina e lartë që karakterizon Forcat e Armatosura”, deklaroi Begaj.
Presidenti tha ndër të tjera se viti 2022 ishte një vit shumë i vështirë, ku agresioni i pajustifikuar i Rusisë ndaj Ukrainës rrezikoi paqen dhe sigurinë në hapësirën euro-atlantike, ndërsa efektet e saj ndihen në jetën e çdo qytetari.
Nga ana tjetër, sipas kreut të shtetit ky konflikt ka dëshmuar rëndësinë, forcën dhe kompaktësinë e aleancës, e cila është e aftë të mbrojë çdo centimetër të saj dhe vendeve anëtare.
Presidenti Begaj nënvizoi se “si anëtare e NATO-s, vendi ynë do të vazhdojë të kontribuojë në mënyrë aktive në misione dhe operacionë të drejtuara nga Aleanca.
“Do të rrisim kontributet tona aty ku do të jetë e nevojshme dhe do të na kërkohet”, nënvizoi ai. “Forcat e Armatosura janë shumë të rëndësishme për një vend dhe unë sot nëpërmjet jush gjej rastin të falënderoj të gjitha Forcat e Armatosura shqiptare për përkushtimin e treguar në përmbushjen e çdo detyre kushtetuese, por edhe në përballimin e atyre situatave të cilat kanë qenë jo të pakta gjatë vitit, si emergjencat e ndryshme.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Emigrantët gati për Itali, lënë Gjadrin pas vendimit të gjykatës së Romës
-
KLP reagon pas deklaratave të Berishës: Dënojmë çdo presion ndaj SPAK
-
PD propozon ndryshime në Rregulloren e Kuvendit: Deputetët të deklarojnë nëse kanë përdorur ose jo Sky ECC dhe Encro Chat
-
Gjici kërkon lirinë, gjykata kërkon ngritjen e një grupi ekspertësh për të verifikuar gjendjen shëndetësore