BE: Veprimet e Kosovës në Veri rrezikojnë heqjen e masave – të njëanshme dhe të pakoordinuara
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka deklaruar se veprimet e fundit të institucioneve të Kosovës në Veri duke mbyllur nëntë objekte të Postës së Serbisë mund të ndikojnë negativisht në heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.
BE-ja ka vlerësuar se hapat që po merr Kosova janë “të njëanshëm” dhe “të pakoordinuara”.
“Fakti që BE-ja vendosi masa kundër Kosovës, vitin e kaluar, është pasqyrë e hapave që çuan në përshkallëzim. Tani shohim më shumë hapa të njëanshëm dhe më shumë veprime të pakoordinuara. Ky, në të vërtetë, nuk është shtensionim. Kjo çon në përshkallëzim të mëtejshëm. Këtë duhet ta kuptojnë qartë ata që marrin vendime në Prishtinë”, ka deklaruar Stano.
Ndër të tjera, ka kërkuar që institucionet e Kosovës të rishqyrtojnë vendimin dhe të gjejnë zgjidhje për këtë cështje në kuadër të dialogut.
“Ne e kemi bërë shumë të qartë se çfarë presim nga Qeveria e Kurtit. Presim që ta shqyrtojë dhe trajtojë këtë çështje në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, dhe të paraqesë propozime që do të trajtonin ndikimin e mundshëm negativ të këtij vendimi në popullin e veriut të Kosovës”, ka thënë mes tjerash Stano, raporton Radio Evropa e Lirë.
Edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Prishtinë deklaroi se është e zhgënjyer nga Qeveria e Kosovës për mbylljen e degëve të Postës së Serbisë në Veri të vendit, duke vlerësuar ndër të tjera se “veprimet e pakoordinuara” mund t’i “përshkallëzojnë tensionet” ekzistuese.
Më 5 gusht, autoritet e Kosovës kanë mbyllur nëntë objekte të Postës së Serbisë në veri të territorit kosovar, të cilat vepronin ilegalisht në katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – ndërsa zyrtarët serbë e kanë cilësuar aksionin policor nxitje për konflikt të armatosur.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se aksioni ka nisur pas informatës së pranuar nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) se në territorin e Kosovës janë duke funksionuar në mënyrë ilegale operatorë ekonomikë që nuk janë të regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve (ARBK).
“Pas një shkrese/informate të pranuar nga ARKEP se në territorin e Kosovës operojnë operatorë ekonomikë pa licencë, njësitet policore kanë shkuar për verifikimin e këtij informacioni. Informacioni ka rezultuar të jetë i saktë. Janë mbyllur gjithsej 9 objekte: tri në Mitrovicë të Veriut, tri në Leposaviq, dy në Zveçan dhe një në Zubin Potok”, ka thënë Elshani.
E drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke e cilësuar aksionin për mbylljen e operatorëve ilegalë “provokim të drejtpërdrejtë” për konflikt të armatosur. “Ai qartazi dëshiron të shkaktojë konflikte në terren me çdo kusht, dhe kjo po ndodh para syve të bashkësisë ndërkombëtare”.
Ndryshe, autoritetet kosovare kanë potencuar se çështja e operimit të Postës së Serbisë në Kosovë është tentuar të zgjidhet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd në një fazë të mëvonshme, por për shkak të refuzimit të Serbisë, kjo çështje s’është adresuar asnjëherë.
Përkundër se situata e përgjithshme në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe është më e qetë pas ngjarjeve të vitit të kaluar, akoma perceptohet tensioni – tension për shkak të numrit të madh të çështjeve të pazgjidhura në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Lajçak: Zbardhja e fatit të personave të zhdukur është një çështje urgjente humanitare
-
Haradinaj takon gjeneralin amerikan që ndihmoi në ngritjen dhe zhvillimin e FSK-së
-
Abdixhiku thotë se nëse zgjidhet kryeministër, buxheti i Kosovës do të jetë 5 miliardë euro
-
Komandanti i KFOR-it thekson nevojën për koordinim të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë në Kosovë