Udhëheqësit e Bashkimit Evropian këmbëngulin në krijimin sa më të shpejtë të një programi investimi për të rritur prodhimin në industrinë e mbrojtjes të BE-së në sfondin e luftës në Ukrainë.
Kështu thuhet në draft-konkluzionet e samitit të liderëve të BE-së më 15-16 dhjetor, raporton agjencia “Reuters”.
“Këshilli Evropian… i bën thirrje Komisionit Evropian që të paraqesë shpejt një propozim për një Program Evropian të Investimeve të Mbrojtjes për të forcuar kapacitetin dhe qëndrueshmërinë e teknologjisë evropiane të mbrojtjes dhe sektorit industrial, duke përfshirë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”, thuhet në draft-vendimin, të cilin agjencia e shqyrtoi të mërkurën.
Udhëheqësit e BE-së planifikojnë gjithashtu të kërkojnë nga Komisioni Evropian dhe Agjencia Evropiane e Mbrojtjes që të shtojnë përpjekjet për të identifikuar boshllëqet ushtarake dhe për të koordinuar blerjet e përbashkëta të mbrojtjes, në veçanti, për të rimbushur rezervat e burimeve materiale të varfëruara gjatë mbështetjes së Ukrainës.
BE-ja u ka kërkuar prej kohësh shteteve anëtare të bashkohen me përpjekjet e prokurimit të armëve në vend që të rrisin çmimet duke konkurruar me njëri-tjetrin ose duke bërë marrëveshje individuale me furnitorë jashtë BE-së.
Sipas projektvendimit, në samitin e Bruksel-it, liderët e BE-së do të bëjnë thirrje gjithashtu për përshpejtimin e zbatimit të punimeve infrastrukturore të krijuara për të lehtësuar lëvizjen e shpejtë të trupave nëpër Evropë.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, në prag të takimit të ministrave të vendeve anëtare të NATO-s, tha se vendet e Aleancës duhet urgjentisht të rrisin prodhimin e armëve, sepse pa investime në prodhim e armëve, është e pamundur të fitosh në fushën e betejës në planin afatgjatë.
Siç është raportuar, Ukraina do të prodhojë armë të rënda dhe pajisje ushtarake me të paktën gjashtë vende të NATO-s.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com