Media shtetërore britanike BBC, prej dekadash është listuar në majën piramidale të mjedisit medial botëror, si një ndër institucionet më të rëndësishme të informimit mbi gjithçka ndodh në mbarë botën.
Pa diskutim se vizioni, metodologjia, botëkuptimi që BBC kërkon t’i imponojë lexuesve dhe shikuesve të saj, e ka kthyer në një prej brandeve më të njohur mbarë botërisht dhe të identifikueshëm me vetë lajmin.
Kur thua BBC, ke thënë gazetari.
Por gazetarinë e bëjnë gazetarët dhe BBC-në, gjithashtu.
Askush nuk mundet t’i shpëtojë këtij ekuacioni, i cili me rastin e fundit të konfliktit mes yllit të shkuar të futbollit britanik dhe të komentimit aktual, Gary Lineker dhe drejtuesve të përgjithshëm të BBC-së, shkaktoi hamulli mediatike kudo.
Shkurtimisht, ky konflikt lidhet me faktin se Lineker, drejtues prej dekadash i emisionit të njohur sportiv të fundjavës “Match of the Day” në BBC, kishte kritikuar politikat e ndjekura nga Qeveria lidhur me emigrantët dhe azilkërkuesit, duke shprehur pikëpamjet e tija në median sociale Twitter.
Mbi këto qëndrime, të cilat u argumentuan si kundërvajtje ndaj rregullave kontraktuale të medias shtetërore, Lineker u pezullua nga emisioni i tij i përjavshëm.
E gjitha, u pa si një lëvizje e ulët, e ndërmarrë prej drejtuesve të BBC-së dhe e imponuar nga vetë strukturat qeveritare, duke nxjerrë në sipërfaqe edhe akuza të papëlqyeshme, se si një media që ka shkruar kapituj të tërë të demokracisë, siç është BBC, të ndikohet kështu prej politikës dhe të mbajë anë.
Akuza këto të cilat sigurisht u mohuan nga bordi drejtues si të tilla, por që sërish shpalosën një pasefekt krejtësisht të paparashikuar ndoshta në mendjen e burokratëve të BBC-së.
Me pezullimin e Lineker, dhjetëra drejtues të tjerë emisionesh sportive e gazetarë, filluan të hiqnin dorë nga formatet e tyre televizive, duke bojkotuar transmetimet në minutë të fundit dhe duke e çorientuar programacionin e medias, në pikën ku u detyruan të transmetonin emisione të vjetra, apo programe krejtësisht jashtë tematikave të zakonshme të fundjavës.
Në atë çast, Lineker ishte BBC-ja dhe kjo e fundit, një hamulli konfuzioni çoroditës, mbi të gjitha kur ylli i futbollit britanik doli qetësisht nga shtëpia e tij dhe në vend që të drejtohej për në studion televizive, shkoi të shijonte nga tribuna një ndeshje të Leicester City.
Aq e tjerrë ishte çështja, sa që transmetuesi kryesor i problemeve të BBC-së, ishte vetë BBC-ja, me një transmetim në kohë reale të asaj çfarë po ndodhte, me tërheqjet e njëpasnjëshme të kolegëve, në një skenar surreal, i cili e përcaktoi qartësisht moralin e gazetarisë dhe i kujtoi të gjithëve se pse BBC është BBC dhe pse kjo media, është në majën e mediave.
Vetëraportimi i problemeve të brendshme të mëdha në redaksinë e sportit nga redaksia e lajmeve dhe solidariteti i treguar nga kolegët me Lineker, ia bëri të qartë si drejtuesve burokratë (ashtu edhe politikës nëse ka qenë e përfshirë), se gazetarinë e bëjnë gazetarët dhe jo zyrtarët, pavarësisht nëse këta të fundit kanë apo jo të drejtë për vendimin e marrë.
Ç’ndodh dy ditë më pas?
Për më shumë, ndiqni këtë të shtunë “Match of the Day” nga Gary Lineker, në BBC sport!
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com